Ahmet Gürhan Kartal
14 Dhjetor 2022•Përditësim: 15 Dhjetor 2022
Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbysjes së gomones me emigrantë në kanalin 'La Manche', në brigjet e qytetit Kent të Britanisë së Madhe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Burimet e qeverisë britanike njoftuan se si rezultat i aktiviteteve të kërkim-shpëtimit konfirmohet se katër persona kanë humbur jetën, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Më herët u njoftua se nga përmbysja e gomones me emigrantë në 'La Manche' kishin humbur jetën tre persona dhe ishin shpëtuar 43 të tjerë të cilët janë evakuuar në Britani.
Sipas lajmeve në mediat lokale, një pjesë e të shpëtuarve janë evakuuar nga gomona.
Në gomonen me emigrantë të parregullt pretendohet se ishin rreth 50 persona. Thuhet se vazhdojnë aktivitetet e përbashkëta të kërkim-shpëtimit nga Franca dhe Britania.
Sekretarja e brendshme britanike, Suella Braverman, në një postim në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen tha se është njoftuar për "ngjarjen e trishtë" në kanalin 'La Manche" dhe shprehu keqardhje duke theksuar se po informohet vazhdimisht.
"Jemi të vetëdijshëm për incidentin e ndodhur në ujërat britanike dhe të gjitha institucionet përkatëse mbështesin ndërhyrjen e koordinuar", tha në një njoftim sekretariati britanik për punët e brendshme.
Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit në kanalin 'La Manche' kanë kaluar mbi 40 mijë emigrantë të parregullt me gomone të vogla.