Fatjon Cuka
02 Janar 2020•Përditësim: 03 Janar 2020
Që nga 01 janari i këtij viti, Shqipëria ka marrë kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Lidhur me kryesimin e OSBE-së, ka reaguar edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ku thekson se Shqipëria për një vit me radhë do të kryesojë organizatën përgjegjëse për sigurinë nga Vankuveri në Vladivostok.
“Shqipëria do të angazhohet për zgjidhjen dhe parandalimin e konflikteve, adresimin e kërcënimeve transnacionale, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, forcimin e proceseve demokratike e afirmimin për të drejtat dhe liritë themelore, mes tjerash”, ka theksuar Cakaj në reagimin e tij, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Gjithashtu, Cakaj është shprehur se Shqipëria do ta kryesojë OSBE-në me qasje bashkëpunuese e gjithëpërfshirëse dhe sjellje të përgjegjshme e profesionale.