Ekip
04 dhjetor 2019•Përditësim: 05 dhjetor 2019
Sipas Komisionit të Lartë të Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Irak, numri i vdekjeve gjatë dy muajve të fundit në protestat antiqeveritare në Irak është rritur në 460 persona dhe të paktën 17 mijë të tjerë janë plagosur, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Të paktën 460 protestues u vranë në muajt tetor dhe nëntor në qytete të ndryshme qendrore dhe jugore, përfshirë Bagdadin”, tha në një deklaratë me shkrim Ali al-Bayati, një përfaqësues i komisionit.
Al-Bayati theksoi se numri i protestuesve të plagosur tejkaloi 17.400, prej të cilëve mbi 3 mijë do të mbeten me aftësi të kufizuara si rezultat i amputimit, humbjes së shikimit ose dëmtimeve të tjera.
Ai komentoi dorëheqjen e ish-kryeministrit Adel Abdul-Mahdi dhe mundësinë e përfundimit të protestave, duke theksuar se Iraku është në “një krizë politike dhe të sigurisë në vazhdim”.
“Dorëheqja e qeverisë nuk do të mjaftojë për të gëlltitur zemërimin e protestuesve”, tha al-Bayati.
Më 1 dhjetor, parlamenti irakian pranoi dorëheqjen e Abdul-Mahdit mes protestave kundër korrupsionit dhe kushteve të dobëta të jetesës në vend.
Dorëheqja e kryeministrit të Irakut erdhi mes protestave masive që shpërthyen në fillim të tetorit kundër kushteve të këqija të jetesës dhe korrupsionit të qeverisë. Kërkesat e protestuesve u kthyen më vonë në thirrje për shpërbërjen e qeverisë së Abdul-Mahdit.