Ahmet Gürhan Kartal
17 Shkurt 2021•Përditësim: 18 Shkurt 2021
Njerëzit duan të shohin Princeshën Latifa të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) "të gjallë dhe mirë", tha sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për "SkyNews", Raab tha se çështja e princeshës është "shqetësuese".
Ai tha se imazhet që u shfaqën kohët e fundit në kanalet britanike të lajmeve në të cilat Princesha Latifa tha se është mbajtur peng nga babai i saj janë "shumë shqetësuese".
Detajet tronditëse të përpjekjes së dështuar të Princeshës Latifa për të ikur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përvoja e hidhur si peng që ajo po vuan aktualisht u zbuluan në një investigim të BBC-së të martën.
Raab tha: "Ne gjithmonë ngremë çështjen e të drejtave të njeriut me të gjithë partnerët tanë, përfshirë EBA-në".
"Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të ndjekë atë që kemi parë dhe ne do ta shohim dhe monitorojmë atë nga afër“, tha ai.
"Njerëzit thjesht në aspektin njerëzor duan të shohin se ajo është gjallë dhe mirë. Sigurisht, ky është një instinkt natyror dhe ne sigurisht do ta mirëpresim atë", tha po ashtu Raab.
Në pamjet e filmuara fshehurazi nga princesha, ajo përshkruan se si është mbyllur në një vilë familjare që është shndërruar në burg. Ajo gjithashtu përshkruan situatën me të cilën u përball kur u rrëmbye nga komandot e Emirateve, i është dhënë qetësues dhe është kthyer përsëri në EBA.
"Jam në një vilë. Jam marrë peng dhe kjo vilë është shndërruar në një burg. Të gjitha dritaret janë të mbyllura. Unë nuk mund të hapë asnjë dritare. Janë pesë policë jashtë dhe dy policë brenda shtëpisë. Unë nuk mund të dal as të marrë ajër të pastër", tha princesha në video.
"Nuk e di kur do të lirohem dhe çfarë do të jenë kushtet kur të lirohem. Çdo ditë, jam e shqetësuar për sigurinë time dhe jetën time. Nuk e di vërtet nëse do të mbijetoj këtë situatë. Nuk e di se çfarë po planifikojnë të bëjnë me mua. Me të vërtetë nuk e di. Kështu që situata po bëhet më e dëshpëruar çdo ditë. Thjesht me të vërtetë, me të vërtetë e lodhur nga kjo", shtoi Latifa.
Princesha e burgosur
Princesha Latifa, vajza e Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, sundimtari i Dubait dhe zëvendës-president i EBA-së, u përpoq të largohej nga vendi në shkurt të vitit 2018.
Latifa dhe trajnerja e saj e arteve marciale, Tiina Jauhiainen, e cila e ndihmoi atë në arratisjen e saj, morën një varkë dhe dolën në ujërat ndërkombëtare ku hipën në një jaht me flamur të SHBA-së që komandohej nga biznesmeni francez, Herve Jaubert.
Një javë më vonë, në jaht hip me forcë një njësi e komandove të Emirateve në brigjet e Indisë. Dyshja u detyrua të largohej nga vendi i tyre i fshehur në një banjë në kuvertë më të ulët dhe u mbajt nën kërcim të armës.
Sipas BBC-së, Latifa luftoi kundër komandove që e morën nga anija, duke goditur me shqelm dhe kafshim në një përpjekje të kotë për t'u liruar. E mposhtur nga ushtarët, Latifa-s iu dha qetësues dhe u dërgua në një avion privat i cili e ktheu përsëri në Dubai, gjatë gjithë kohës pa ndjenja.
Sipas Jauhiainen, ajo po mbahet e vetme dhe pa qasje në ndihmën mjekësore ose përfaqësim ligjor. Jauhiainen dhe Jaubert u mbajtën në paraburgim për dy javë në Dubai para se të lihen të lirë.
Videot u bënë brenda një periudhe shtatë mujore në një telefon që iu dha asaj fshehurazi një vit pas kapjes dhe burgosjes së saj. Sipas Latifa-s, banjo është i vetmi vend ku ajo mund të bënte video të tilla pasi ishte e vetmja dhomë që kishte një bravë.
Kapja dhe burgosja e Latifa-s shkaktoi reagim ndërkombëtar dhe EBA ishte nën presion të fortë, me thirrjet e OKB-së dhe shteteve të ndryshme për ta liruar. Në një përpjekje për të qetësuar komunitetin ndërkombëtar, EBA në dhjetor të vitit 2018 organizoi një takim midis Latifa-s dhe ish-zyrtares së OKB-së, Mary Robinson.
Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë në Londër lëshoi një seri gjykimesh të bazuara në proces të gjetjes së fakteve dhe zbuloi se sheik Mohammed ka urdhëruar dhe orkestruar rrëmbimin e vajzës së tij Latifa në vitin 2002 dhe 2018 si dhe motrën e saj të madhe Princeshën Shamsa në vitin 2000.