Burak Dağ
17 Dhjetor 2020•Përditësim: 17 Dhjetor 2020
Lidhjet e forta historike, kulturore dhe humanitare të Turqisë e bëjnë vendin një pjesë integrale të Ballkanit, tha zëvendës ministri i Jashtëm i Turqisë, Yavuz Selim Kiran, raporton Anadolu Agency (AA).
"Integrimi ekonomik dhe shoqëror në rajonin tonë do të rrisë paqen dhe prosperitetin. Përveç kësaj, integrimi do të na mundësojë që të zhvillojmë përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave rajonale dhe globale", tha Yavuz Selim Kiran në një punëtori dixhitale të mërkurën.
Punëtoria dixhitale, e titulluar "COVID-19: Sfidat dhe Mundësitë në Ballkan "u organizua nga Qendra për Kërkime Strategjike me pjesëmarrjen e anëtarëve të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore (SEECP).
Duke theksuar se Turqia mori kryesimin e presidencës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në korrik, Kiran tha: "Sipas mendimit tonë, misioni kryesor i këtij procesi është të bashkojë të gjitha vendet e Ballkanit rreth tryezës së njëjtë. Jam i lumtur të shoh se ne e kemi arritur këtë qëllim përmes takimit të sotëm online".
Kiran theksoi se që nga fillimi i krizës më të madhe të shekullit 21, pandemia e koronavirusit, më shumë se 70 milionë raste janë regjistruar në të gjithë botën, me më shumë se 1.6 milionë vdekje.
"Rritje e konsiderueshme e rasteve të COVID-19 po vërehet në Ballkan. Vendet anëtare të SEECP regjistruan 3.5 milionë raste të koronavirusit dhe gati 60 mijë njerëz humbën jetën. Këto statistika kërkojnë qartë solidaritet ndërkombëtar dhe rajonal për të trajtuar pandeminë", shtoi ai.
Kiran tha se Turqia bëri pjesën e saj duke zgjatur dorën e saj të ndihmës në 156 vende dhe 11 organizata ndërkombëtare gjatë pandemisë.
"Në këtë kontekst, unë jam i kënaqur të deklaroj se gjithashtu ofruam ndihmë mjekësore për vendet në rajon. Përveç krizës shëndetësore, koronavirusi ka një ndikim serioz në strukturën sociale dhe ekonomike të vendeve. Ne jemi duke dëshmuar një rritje të pabarazisë socio-ekonomike", tha ai.
Duke folur për vaksinat kundër COVID-19, Kiran tha: "Ne besojmë se vaksinat duhet t'u ofrohen të gjitha qenieve njerëzore. Shkencëtarët tanë po punojnë për të zhvilluar vaksinat vendore në Turqi. Ne aktualisht kemi 16 kandidatë për vaksina. 13 prej tyre janë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Qëllimi ynë është të ndajmë këto vaksina me të gjitha vendet në nevojë".
Duke deklaruar se shpërthimi përshpejtoi ndryshimin global dhe solli disa mundësi, si dhe vështirësi, Kiran nënvizoi se vendet që mund të ekuilibrojnë midis trajtimit të pandemisë dhe mirëmbajtjes së aktiviteteve sociale dhe ekonomike fitojnë avantazh.
"Shpërtimi ka përshpejtuar transformimin në zinxhirët globalë të furnizimit. Rajoni ynë mund të përfitojë nga ky transformim. Pra, ne duhet të jemi në gjendje të mbajmë prodhimin tonë ekonomik dhe të zhvillojmë lidhjet tona tregtare", shtoi ai.
Duke vërejtur se vëllimi tregtar midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit është rreth 17 miliardë euro (20.8 miliardë dollarë) dhe shuma totale e investimeve turke në vendet e Ballkanit është rreth 14 miliardë euro (17.1 miliardë dollarë), Kiran tha se bashkëpunimi ekonomik është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve.
"Turqia po merr një rol aktiv në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Turqi. Përveç përpjekjeve tona për stabilizim përmes NATO-s dhe organizatave rajonale, ne gjithashtu drejtojmë iniciativa të ndryshme me miqtë tanë në Ballkan, të tilla si Mekanizmat Konsultimi Trepalësh.
"Ne vazhdojmë të mbështesim integrimin e rajonit me institucionet evropiane dhe euro-atlantike", shtoi ai.