Tuğçenur Yılmaz
10 Shkurt 2018•Përditësim: 10 Shkurt 2018
ANKARA (AA) – Kryetari i Zyrës për Koordinim të Çështjeve Humanitare të Kombeve të Bashkuara, Ramesh Rajasingham, deklaroi se për çdo ditë ushtron presion mbi regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad që të lejojë evakuimin e qytetarëve me gjendje të rëndë shëndetësore nga rajoni i Gutës Lindore, raporton Anadolu Agency (AA).
Megjithatë, ai porositi se ky problem në mënyrë të vazhdueshme gjendet në rendin e ditës, por pa sukses meqë regjimi edhe më tej nuk lejon evakuime të tilla.
Rajasingham rikujtoi se nga Zyra e OKB-ve në rajonin e Gutës Lindore në fund të muajit nëntor është kërkuar nga forcat e regjimit që të sigurojnë qarkullimin e ndihmës humanitare. Megjithatë, përgjigje ende nuk kanë marrë.
Sipas tij në Siri gjenden 6 milionë persona të shpërngulur, ndërsa për 13 milionë nevojitet ndihma e shpejtë dhe mbështetja.
“Për çdo ditë kërkojmë evakuimin e qytetarëve me gjendje të rëndë shëndetësore nga Guta Lindore. Shumë prej tyre humbin betejën për jetë. Për të mbijetuarit nevojitet të evakuohen. Për çdo ditë për këtë flasim, megjithatë, regjimi ende nuk lejon evakuimin”, theksoi Rajasingham.
Ai theksoi se nevojitet evakuimi i qindra personave dhe sipas tij deri tani janë evakuuar vetëm 30 qytetarë.
Ai shpalosi informacionin se nga 15 dhjetori i vitit të kaluar shtëpitë e tyre i kanë braktisur 300.000 persona. Rajasingham shtoi se u nevojiten 65 milionë dollarë me qëllim që gjatë tre muajve të ardhshme t’u ofrohet ndihma civilëve në këtë rajon.
Gjatë sulmeve ajrore të regjimit sirian në Gutën Lindore të enjten humbën jetën së paku 75 persona. Në bombardimet në Gutën Lindore nga 29 dhjetori deri më sot humbën jetën 524 civil, ndërsa u plagosën 2.000 të tjerë.