Bota

“Aktivistët e arrestuar në Arabinë Saudite torturohen”

Organizata Amnesty International, pretendon se aktivistët që janë mbajtur në mënyrë arbitrare që nga muaji maj në burgun Dhahban në Arabinë Saudite pa ndonjë akuzë, janë torturuar

Gamze Türkoğlu Oğuz  | 21.11.2018 - Përdıtësım : 22.11.2018
“Aktivistët e arrestuar në Arabinë Saudite torturohen”

Ankara

ANKARA (AA) - Shumë aktivistë, duke përfshirë edhe gratë në Arabinë Saudite, thuhet se përballen me ngacmime seksuale, tortura dhe keqtrajtime të tjera gjatë marrjes në pyetje, pas arrestimeve arbitrare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Organizata Amnesty International, në një deklaratë të bazuar mbi tre dëshmi, pretendon se aktivistët që janë mbajtur në mënyrë arbitrare që nga muaji maj në burgun Dhahban në Arabinë Saudite pa ndonjë akuzë, janë torturuar duke u goditur për shumë herë me rrymë elektrike dhe mjete të ndryshme. Theksohet se disa prej tyre nuk janë në gjendje të ecin ose qëndrojnë në këmbë, apo kanë dridhje të duarve dhe shenja në trup.

Në njërën prej dëshmive flitet se një aktivist është varur në tavan, një grua është përballur me ngacmimin seksual nga një hetues me maskë si dhe një prej aktivistëve ka tentuar disa herë të vetëvritet. Ndër të tjera mbrohet ideja se zyrtarët e burgut Dhahban në të njëjtën kohë kanë paralajmëruar aktivistët që të mos i tregojnë përjetimet familjarëve të tyre.

Drejtoresha e Kërkimeve të Amnesty International për Lindjen e Mesme, Lynn Maalouf, ka vlerësuar se, "Nëse këto raportime tronditëse për tortura, ngacmime seksuale dhe forma të tjera keqtrajtimi, vërtetohen në një periudhë ku ka kaluar vetëm disa javë nga vrasja brutale e Jamal Khashoggit, do të zbulonin edhe më tej shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut të kryera nga autoritetet saudite".

Duke vënë theksin se autoritetet saudite janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për shëndetin e grave dhe meshkujve nën arrest, Maalouf tha se këto persona përpos se janë privuar për muaj vetëm se kanë shprehur idetë e tyre në mënyrë paqësore, ata në të njëjtën kohë janë përballur edhe me dhunë të tmerrshme fizike.

Maalouf i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion mbi Arabinë Saudite për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të aktivistëve sauditë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, si dhe kryerjen e një hetimi tërësor në lidhje me pretendimet për torturë.

Në mesin e aktivistëve që mbahen të arrestuar në burgun Dhahban ndodhen Louceyn al Haslul, Eman al-Nafkan, Azize Yusuf, Samar Beduin, Nesime el Seda, Muhamed al-Rabe, mjeku Ibrahim al-Modeimigh, Nouf Abdulaziz dhe Maya al-Zehran, Muhammed el-Becedi, Halit el Omer, Hatun el Fassi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.