BALLKANI

"Zgjedhjet në Kosovë kanë qenë mirë të administruara dhe transparente"

Në ditën e zgjedhjeve Misioni i BE-së dërgoi 108 vëzhgues nga 27 shtete anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra në mbarë Kosovën

Agim Sulaj  | 08.10.2019 - Përdıtësım : 09.10.2019
"Zgjedhjet në Kosovë kanë qenë mirë të administruara dhe transparente" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, ka prezantuar gjetjet paraprake të EU EOM për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas këtij misioni, zgjedhjet kanë qenë mirë administruara dhe transparente por "të prekura nga fushë-loja e pabarabartë dhe të cenuara nga frikësimi dhe mungesa e konkurrencës në trevat e banuara me serbë të Kosovës".

Misioni i BE-së ka vlerësuar rritjen e numrit të votuesve për rreth 80 mijë më shumë se zgjedhjet e kaluara, transparencën si dhe procesin e numërimit të votave.

"Dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Asnjë incident i madh nuk u raportua nga vëzhguesit e BE-së. Vlerësimi i përgjithshëm i udhëheqjes së hapjes, votimit dhe numërimit është pozitiv. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguroi transparencën e procesit duke lëshuar shpejt rezultatet jozyrtare paraprake për subjektet politike nga qendra e votimit", tha Taubadel.

Taubadel ka veçuar procesin zgjedhor në veri, ku sipas saj atje Lista Serbe ka pamundësuar garën fer për partitë e tjera.

"Lista Serbe kontrolloi komunat ashtu sikurse edhe Qeveria e Serbisë drejtoi serbët e Kosovës për të votuar vetëm për Listën Serbe derisa oponentët e tyre u cilësuan si anti-serbë. Ky kufizim, ushtroi ndalimin e një të drejte fundamentale për lirinë e fjalës, Kuvendin dhe përfaqësimin", tha Traubadel e cila theksoi se me këtë u shkurtua një e drejtë internacionale.

Andrey Kovatchev, shef i delegacionit në Parlamentin Evropian tha se zgjedhjet kanë qenë mirë të menaxhuara. Ai tha se "çështja e financimit të fushatës paraqet fushë të shqetësimit të vazhdueshëm që është ngritur edhe nga misionet e mëparshme të vëzhgimit".

Sipas Kovatchev "korniza rregullative nuk siguron transparencë dhe integritet dhe duhet të forcohet në mënyrë që ta luftojë korrupsionin dhe të garantojë demokraci të shëndoshë".

Në ditën e zgjedhjeve EU EOM dërgoi 108 vëzhgues nga 27 shtete anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra në mbarë Kosovën. EU EOM do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procesin në Qendrën e Numërimit të Rezultateve dhe zgjidhjen e çdo ankese dhe parashtrese deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Më 6 tetor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), kryeson Lëvizja Vetëvendosje, ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.