BALLKANI

Zaev: Dita e Pavarësisë, ditë kur u bashkuam për shtetësinë tonë

Maqedonia e Veriut shënon 28-vjetorin e pavarësisë, kur shteti u nda nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë

Abdula Berisha  | 08.09.2019 - Përdıtësım : 09.09.2019
Zaev: Dita e Pavarësisë, ditë kur u bashkuam për shtetësinë tonë ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Në parkun e qytetit të Shkupit është mbajtur manifestimi qendror për shënimin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev udhëhiqte me delegacionin qeveritar në manifestim, ndërsa përpos tyre të pranishëm ishin edhe ambasadorë, deputetë dhe përfaqësues të pushtetit lokal. 

Nën moton "Ngjyrat e pavarësisë", në parkun e qytetit u organizuan prezantime nga organizata të ndryshme, të cilat u vizituan nga kryeministri Zaev. Në mesin e prezantimeve, kishte edhe prodhues të ushqimeve tradicionale, klube sportive, por edhe përfaqësues të organeve shtetërore, siç ishte demonstrimi i njësitit "Tigrat" me qenin e stërvitur.

Pas intonimit të himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fjalim mbajti kryeministri Zaev, i cili uroi të gjithë qytetarët për Ditën e Pavarësisë, duke thënë se është ndërtuar një shoqëri unike dhe shtet stabil.

"Dita e Pavarësisë, 8 Shtatori, do të mbahet mend si ditë kur u bashkuam për ta rrumbullakuar shtetësinë tonë dhe të zgjedhim rrugë të mbushur me mirëkuptim të ndërsjellë, lumturi dhe prosperitet. Udhërrëfyes të rëndësishëm strategjik në këtë rrugë ishin NATO dhe Bashkimi Evropian", tha Zaev.

Më herët gjatë ditës, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga Zaev vendosi lule tek varri i presidentit të parë të shtetit, Kiro Gligorov si dhe tek varri i ish-presidentit Boris Trajkovski.

Kujtojmë se më 8 shtator të vitit 1991 vendi organizoi referendum për pavarësi nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ku mbi 95 për qind e qytetarëve që votuan në referendum u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.