Bojan Bednar
24 Nëntor 2021•Përditësim: 25 Nëntor 2021
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se Serbia investon shumë në ushtrinë e saj “sepse mundet” dhe sepse ekonomia serbe është “e fortë”, por se mendon se është e qartë për të gjithë se Serbia, nuk e bën këtë që të jetë një "pre dhe kafshatë e lehtë" për të gjithë ata që nuk ia duan të mirën Serbisë", raporton Anadolu Agency (AA).
Vuçiç në një konferencë për media tha se bisedimet me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak e mbajtur të martën, ishte "korrekte dhe normale" dhe shtoi se Beogradi dëshiron të bisedojë me Prishtinën “jo sepse është magjepsur nga politika“ e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sepse ai beson se biseda me njerëz të tillë duhet të sjellë rezultate, “sepse është më mirë të flasësh sesa të mos flasësh”.
- Bisedimet me Prishtinën sa më shpejt të jetë e mundur
Ai theksoi se nuk do të fliste publikisht për bisedën me Lajçakun, ndonëse u diskutua për "shumë detaje" dhe çështje të panumërta, siç është problemi i personave të pagjetur dhe Asociacioni i Komunave Serbe dhe se nuk ka pasur marrëveshje me Lajçakun për të biseduar gjëra që nuk ishin dakorduar.
Vuçiç tha se Serbia kërkon bisedime me Prishtinën në të gjitha nivelet, "sa më shpejt, sa më shumë dhe sa më shpesh të jetë e mundur" dhe se ai beson se çdo bisedë është "fisnike dhe shëruese" dhe se është e rëndësishme të flitet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Energjinë si dhe është e nevojshme të krijohet “të paktën besim minimal” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ai theksoi se Serbia nuk dëshiron të pranojë tezën se është përgjegjëse për asgjë sepse nuk ka bisedime të tilla.
Vuçiç tha se do t'u dërgojë letër të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive duke kërkuar që të përgjigjen se si është e mundur që Kurti "herë pas here, por në mënyrë shumë të qartë dhe pa hamendje, të flasë për dëshirën e tij për bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë dhe se asnjë organi politik në Evropë nuk ka reaguar”.
Presidenti serb deklaroi se në letër do të pyeste nëse kjo mungesë reagimi do të thotë "që ata do të heshtin aq shumë nëse dikush nga këtu", duke iu referuar Serbisë, "të fliste për bashkim me dikë tjetër".
- Takimi i gjatë me Dodikun
I pyetur për takimin me anëtarin serb të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, të mbajtur të martën, Vuçiç tha se "gjithmonë përpiqet të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera", se ka pasur një takim të gjatë me Dodikun, e ka dëgjuar dhe se kanë pasur “konsultimet e zakonshme për çështje të ndryshme ekonomike dhe politike”.
Ai theksoi se është e rëndësishme që "tensionet të bien dhe të jenë dukshëm më të ulëta" në Bosnjë e Hercegovinë dhe se ai mendonte se Dodik do të "vazhdonte" në këtë sfond.
Vuçiç tha se sigurisht që do të diskutojë situatën në të gjithë rajonin me presidentin rus Vladimir Putin gjatë vizitës së tij të ardhshme në Moskë.
Duke folur për protestat e atyre që nuk duan që kompania "Rio Tinto" të shfrytëzojë litiumin në Serbi dhe të hapë një minierë në Serbi, Vuçiç tha se të gjitha janë "gënjeshtra dhe marrëzi" të shpikura dhe se asgjë nuk do të ndodhë derisa populli të vendosë.
Ai tha se ata që protestuan sollën "Rio Tinto"-n në Serbi dhe nënshkruan 9 marrëveshje dhe se Serbia tani duhet të flasë me këtë kompani dhe të presë të shohë "çfarë kanë përgatitur për ne, si do ta mbrojë mjedisin dhe të analizojë nëse është mirë apo jo".
Vuçiç theksoi se nuk i frikësohet "popullit të tij" për këtë çështje dhe se deputetja e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon me deklaratat e saj pretendon se ia dëshiron të mirën Serbisë, por në fakt ajo është një “lobiste e Albin Kurtit dhe shqiptarëve që ua thotë të gjithëve se serbët janë të këqinj sepse nuk duan ta njohin Kosovën e pavarur dhe e cila gjithandej thotë se ne kemi bërë gjenocid”.