Vdes në Kosovë gazetarja ukrainase Olga Priadko
“Zonja Priadko ka vdekur në banesën e saj në Prishtinë, ku jetonte për më shumë se 2 vjet me djalin e saj, Yaroslavin”, thuhet në njoftimin e AGK-së
Prishtinë
Ka vdekur në banesën e saj në Prishitnë, gazetarja ukrainase Olga Priadko e cila po jetonte në Kosovë për më shumë se dy vjet me djalin e saj, raporton Anadolu.
Rastin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka njoftuar me dhimbje për vdekjen e gazetares në moshën 51 vjeçare.
“Ajo ishte pjesë e programit Gazetarët në Rezidencë – Kosova. Zonja Priadko ka vdekur në banesën e saj në Prishtinë, ku jetonte për më shumë se 2 vjet me djalin e saj, Yaroslavin”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
AGK dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) shprehën ngushëllimet e tyre më të thella për familjen dhe miqtë e gazetares Priadko.
“Përkushtimi i saj në gazetari do të kujtohen dhe nderohen nga të gjithë ata që punuan me të”, përfundon reagimi i AGK-së.
AGK-ja nga prilli i vitit 2022, ka zbatuar programin që u mundëson gazetarëve ukrainas që kanë ikur nga lufta, të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë në Kosovë.
Dhjetëra gazetarë që aktualisht ndodhen në Kosovë, raportojnë në baza ditore nga Kosova, për Kosovën dhe Ukrainën.
Gazetarët në Rezidencë – Kosovë, është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias në kuadër të programit mbështetës, Voices of Ukraine. Programi zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë së Gjermanisë.
