Fatjon Cuka
06 Nëntor 2023•Përditësim: 07 Nëntor 2023
Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, pasi deputetët e opozitës të përjashtuar disa ditë nga punimet e parlamentit kanë tentuar të hyjnë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, raporton Anadolu.
Disa deputetë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), dhe deputetë të tjerë opozitarë të përjashtuar nuk janë lejuar nga punonjësit e Gardës së Shqipërisë të hyjnë në ambientet e Kuvendit, ndërkohë, disa prej tyre kanë tentuar të hyjnë më forcë.
Gjatë tensioneve, disa deputetë të opozitës kanë hyrë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit nga dritaret dhe kangjellat e portës hyrëse.
Në rend të ditës sot janë parashikuar mbledhjet e disa komisioneve parlamentare, si Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e disa projektligjeve, ndërsa deputetët e opozitës të përjashtuar kanë kërkuar që të jenë të pranishëm në seancat e komisioneve dhe në Kuvend.
Ndërkohë, për shkak të tensioneve dhe rrëmujës së krijuar, disa nga mbledhjet e komisioneve parlamentare nuk janë zhvilluar dhe disa do të zhvillohen onlajn.
Pas tensioneve dhe përplasjeve në seancat e datës 30 tetor dhe 2 nëntor, Kuvendi i Shqipërisë vendosi përjashtimin me 10 ditë nga punimet e parlamentit të 8 deputetëve të opozitës.
Seancat e fundit plenare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë nga tensionet.
Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, në seancat e kaluara kanë bllokuar foltoren me karrige, kanë hedhur edhe tymuese në sallë, ndërsa kanë bllokuar edhe punimet e komisioneve parlamentare.
Deputetët opozitarë kanë theksuar se "opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese".
Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë theksuar se "do të nisë qëndresa e opozitës në parlament", pasi sipas tyre "parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla".