"Vatrat e luftës, kërcënim për sigurinë globale"
Në Prishtinë u mbajt paneli me titull "Një pikëpamje mbi Sigurinë Globale: Çfarë vjen më pas?", ku morën pjesë ministra, ish-ministra dhe zëvendësministra të Brendshëm të rajonit dhe më gjerë

Kosova
Dy vatrat e luftës, ajo në Ukrainë dhe në Palestinë si dhe tensionet midis Kinës dhe Tajvanit, përbëjnë kërcënim për sigurinë globale ka thënë ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në një panel në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Prishtinë, raporton Anadolu.
Në panelin me titull "Një pikëpamje mbi Sigurinë Globale: Çfarë vjen më pas?", ku morën pjesë ministra, ish-ministra dhe zëvendësministra të Brendshëm të rajonit dhe më gjerë, ministri Maqedonci tha se problemi më i madh në sigurinë globale është çështja e fragmentimit të vlerave.
"Lufta në Ukrainë, tensionet e Kinës me Tajvanin, lufta në Lindjen e Mesme, janë duke kërcënuar gjithë sigurinë globale. Por, e shoh më shumë problematike fragmentimin e vlerave", theksoi Maqedonci, i cili tha se këtu sheh dy dallime, vende me vlera demokratike dhe vende me vlera jodemokratike.
Ai tha se shtetet duhet të kenë më shumë vëmendje tek vlerat dhe jo tek interesi, për të pasur paqe dhe siguri.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Blerina Abrazhda tha se secili vend duhet të ketë baza industriale të mbrojtjes, për garantimin e sigurisë së tyre. Ajo tha se zhvillimi i teknologjisë ka ndryshuar edhe perceptimet e të bërit luftë.
"Sot lufta nuk ka të bëjë më me gatishmërinë ushtarake. 20 vjet më parë, nëse kishit trupa ushtarake dhe diçka të godiste, ishe gati t'i ktheje me të njëjtën monedhë: nuk është më kështu. Sot jemi në një kohë shumë ndryshe ku gjithçka po ndryshon në vijimësi. Ka produkte të mëdha të mbrojtjes që shërbyen pesë vjet më parë dhe sot ato duhet të pësojnë ndryshime të mëdha", theksoi Abrazhda.
Duke folur në terma konkrete, Abrazhda tha se një vend mund të ketë raketën më të shpejtë në botë, por, nëse nuk e ka komandën kontrolluese të asaj rakete i cili është një kod i shkruar "ajo nuk do të mund të shkojë gjëkundi", shtoi zv/ministrja duke e lidhur këtë me kërcënimet kibernetike.
Në këtë forum dyditor, më 2 dhe 3 qershor, po marrin pjesë krerë të institucioneve të larta nga vende të ndryshme të botës, rreth 150 folës nga më shumë se 45 vende të botës dhe më shumë se 30 panele diskutimi.