Husamedin Gina
24 mars 2020•Përditësim: 25 mars 2020
Kryeministri teknik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, theksoi se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (BE) ka rënë dakord që vendi të fillojë bisedimet me BE-në sa më shpejt që të jetë e mundur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Spasovski bashkë me zv/kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, mbajtën një konferencë për media pas marrëveshjes politike të vendeve të BE-së që të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut.
"Republika e Maqedonisë së Veriut i fillon bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian", tha Spasovski, duke shtuar se ky lajm i shumëpritur vjen në një moment tejet të vështirë kur vendi, Evropa dhe bota luftojnë kundër koronavirusit.
"Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (BE) ka rënë dakord që shteti ynë duhet në afat sa më të shkurtër të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE", theksoi Spasovski, duke shtuar se me këtë është verifikuar suksesi i përpjekjeve, qëndrueshmërisë, kapaciteteve dhe vullnetit politik të institucioneve të vendit.
Spasovski gjithashtu tha se vendimi i BE-së është rezultat i "vendimeve të vështira politike" të ndërmarra nga qeveria dhe shumica parlamentare për të zgjidhur mosmarrëveshjet e gjata me fqinjët e vendit të tij, Greqinë dhe Bullgarinë.
Duke falënderuar BE-në për hapjen e dyerve për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut, Spasovski tha se qytetarët dhe institucionet e vendit do ta shfrytëzojnë këtë mundësi në mënyrën më të mirë të mundur.
Ai shtoi se ky sukses është fund i prites 15-vjeçare të Maqedonisë së Veriut, prej kur vendi mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Zv/kryeministri Osmani, nga ana e tij, theksoi se Maqedonia e Veriut ka kaluar një rrugë të gjatë dhe të vështirë për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE, duke shtuar se me këtë, "vendi hyn në fazën e fundit të realizimit të ëndrrës së saj që nga pavarësia".
"Të mos kemi dyshime, arritëm sukses sepse e merituam. Vendimi i sotëm i vendeve anëtare për t'i dhënë 'dritë jeshile' Republikës së Maqedonisë së Veriut për të filluar bisedimet nuk është as dhuratë, as vendim thjesht politik. Përkundrazi, është një vendim për përparimin thelbësor të vendit", tha Osmani.
Ndërkaq, ministri Dimitrov theksoi se përkundër rrethanave të jashtëzakonshme të shkaktuara nga situata e koronavirusit, është për t'u vlerësuar fakti që BE ka gjetur kohën dhe vullnetin "për të dhënë mirënjohje për atë që është bërë deri më tani".
"Tani e tutje edhe ne do të kemi një pikë fillestare nga e cila mund të matim kohën, nga kur fillojmë një konkurrencë pozitive me të tjerët në zbatimin e reformave dhe në arritjen e standardeve evropiane", tha Dimitrov.
Ministrat e çështjeve evropiane të vendeve anëtare të BE-së, përmes një videokonference të mbajtur sot, kanë arritur marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Përmes një online-konference për media, këtë e konfirmoi edhe ministrja kroate Andreja Metelko-Zgombic, vend i cili ka kryesimin e BE-së.
Vendet e BE-së arritën marrëveshje politike për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në konferencën e njëjtë, Oliver Varhelyi, komisioneri për Zgjerim të BE-së, tha se shpreson që bisedimet do të fillojnë shumë shpejtë.
Gjatë videokonferencës, ministrat gjithashtu miratuan propozimin e Komisionit Evropian për metodologjinë e re për bisedimet për anëtarësim, ndërsa për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme nga koronavirusi, vendimet e ministrave të BE-së duhet të konfirmohen edhe me një procedurë të shkruar.