Agim Sulaj
28 Mars 2019•Përditësim: 29 Mars 2019
Nëpërmjet një akademie përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, janë përkujtuar 147 viktimat e masakrës së Izbicës në Drenicë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë tubim morën pjesë krerë të institucioneve të Kosovës, familjarë të viktimave e qytetarë të shumtë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk do të harrohet gjenocidi dhe spastrimi etnik serb në tërë Kosovën, qoftë në Qirez, Abri, Krushë, Studime apo në Mejë.
Thaçi tha se jorastësisht Serbia kreu krime gati në çdo fshat të Drenicës. “Jorastësisht Serbia kreu këto krime të theksuara dhe të shpeshta gati në çdo fshat të Drenicës. Sepse, Drenica ishte lindja, rrita, zhvillimi, bastioni dhe fitorja e Kosovës. Ishte lindja e UÇK-së, formësimi i saj për t’u zgjeruar anekënd Kosovës. Prandaj sot ne ndajmë dhimbjen me familjet e martirëve dhe dëshmorëve, kujtojmë të gjithë të rënët për liri”, tha Thaçi në tubimin përkujtimor.
Ai theksoi se liria e Kosovës nuk do të vinte kurrë pa luftën e UÇK-së dhe sakrificën e gjithë qytetarëve të vendit, bashkë me ndihmën nga shtetet më të fuqishme të Botës.
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, njëherësh djali i dëshmorit Hamëz Jashari, tha se okupatori serb mori në këtë masakër, burra, gra, fëmijë e pleq, në mënyrë që të bëjë spastrim etnik e shpërngulje nga Kosova.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Izbica është vendi ku u vra edhe fëmija pa mbushur 1 vjeç. Ai tha se Kosovës po i kërkohet vërtetimi i pafajësisë, ndërsa nuk po vendoset ende e drejta për viktimat.
“E drejta për Kosovën, e drejta për viktimat e Kosovës nuk është vendosur edhe sot e kësaj dite. Është njëfarë neglizhence e faktorëve relevantë me vendos këtë të drejtë. Në fakt, po na kërkohet neve edhe njëherë të vërtetojmë pafajësinë tonë, por nuk po vendoset e drejta për viktimat kur dihet që kemi edhe gra të dhunuara në Kosovë, një numër të madh të tyre”, tha Haradinaj.
Masakra e Izbicës zë vend edhe në Departamentin e SHBA-së, ku në atë kohë u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti në të cilat shiheshin qartë 147 varreza të reja në këtë fshat. Pas masakrës, kufomat e të vrarëve i varrosën fshatarët e kësaj ane, por forcat serbe i zhvarrosën kufomat duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi.
Të enjten, në të gjitha shkollat e Komunës së Skenderajt, ora e parë e mësimit iu kushtua masakrës së Izbicës.