BALLKANI

Shqipëria shënon 76-vjetorin e Çlirimit

Në mesazhin e tij të urimit me rastin e Ditës së Çlirimit, kryeparlamenatri Ruçi thekson se “në kalendarin e lirisë, 29 Nëntori qëndron ndër datat më kryelarta të shqiptarëve”

Saimir Alija  | 29.11.2020 - Përdıtësım : 30.11.2020
Shqipëria shënon 76-vjetorin e Çlirimit

Tiranë

Shqipëria shënon sot 76-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndërsa me rastin e kësaj dite janë zhvilluar disa ceremoni dhe aktivitete në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia qendrore për Ditën e Çlirimit që shënohet si festë zyrtare është organizuar pranë Monumentit “Nëna Shqipëri”, në kompleksin e "Varrezave të Dëshmorëve" në Tiranë, ku drejtuesit më të lartë të vendit kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule. 

Pjesë e ceremonisë së mbajtur sipas protokollit të masave kundër pandemisë COVID-19, ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ministra të kabinetit qeveritar dhe drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. 

Në mesazhin e tij të urimit me rastin e Ditës së Çlirimit, kryeparlamenatri Ruçi thekson se “në kalendarin e lirisë, 29 Nëntori qëndron ndër datat më kryelarta të shqiptarëve”.

“29 Nëntori është dita që realizoi ëndrrën e çlirimit të atdheut nga pushtuesit, e cila është vepër e çlirimtarëve dhe partizanëve shqiptarë. Çlirimi ishte rezultat i betejave të përgjakshme në malet, luginat, fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Vlerat antifashiste qëndrojnë në themel të qytetërimit të sotëm evropian e perëndimor dhe ato e shtyjnë botën drejt të ardhmes, progresit, paqes dhe zhvillimit”, thekson Ruçi.

Ndërkohë, ceremoni dhe aktivitete të ndryshme me rastin e 76-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë janë mbajtur edhe në qytetet e tjera të vendit, nga institucionet e pushtetit vendor.

Kujtojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesëtare e Koalicionit Antifashist Botëror dhe 76 vite më parë u çlirua nga pushtuesit nazifashistë pas një lufte 5-vjeçare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.