Fatjon Cuka
20 Nëntor 2023•Përditësim: 21 Nëntor 2023
Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë përsëri nga tensionet dhe incidentet, pasi deputetët e opozitës nuk kanë lejuar vazhdimin e diskutimeve "Për buxhetin e vitit 2024", raporton Anadolu.
Tensionet filluan që para fillimit të seancës, gjatë kontrollit nga punonjësit e Gardës së Shqipërisë ndaj deputetëve të opozitës.
Ndërkohë, tensionet kanë vazhduar edhe pas fillimit të seancës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë bllokuar foltoren me karrige dhe kanë hedhur tymuese, duke shkaktuar edhe zjarr.
I pranishëm në seancë ishte edhe kryeministri Edi Rama, ndërkohë për shkak të tensioneve në seancë nuk vazhduan diskutimet e deputetëve.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendi të Shqipërisë ishte parashikuar që të diskutohej "Për buxhetin e vitit 2024", ku mes tensioneve u miratua në parim me 73 vota pro, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Në mes të tensioneve, seanca e cila zgjati rreth 5 minuta u mbyll nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ndërsa votimi në tërësi i buxhetit të vitit 2024 që tejkalon 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara, është parashikuar në seancat e ardhshme.
Në një deklaratë për mediat sot, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit në Partinë Demokratike, u shpreh se "beteja jonë nisi për mohimin e të drejtës legjislative dhe mohimin e të drejtës së opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e vet".
"Ne nuk bojkotojmë parlamentin se këtë do Edi Rama. Ne po zhvillojmë betejën pa kthim në parlament sepse kemi konstatuar se ka një mirëkuptim të gjerë dhe mbështetje të madhe në popull për këtë që po bëjmë", theksoi Berisha.
Seancat e fundit plenare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë nga tensionet.
Deputetët opozitarë kanë theksuar se "opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese", pasi sipas tyre nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen nismat dhe kërkesat e tyre.
Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë theksuar se "do të nisë qëndresa e opozitës në parlament", pasi sipas tyre "parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla".