BALLKANI

Shqipëri, studentët e mjekësisë protestë kundër punësimit të detyrueshëm

Dhjetëra studentë të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë kanë protestuar duke kundërshtuar ligjin që përcakton mënyrat e punësimit të tyre pas diplomimit

Fatjon Cuka  | 02.10.2023 - Përdıtësım : 04.10.2023
Shqipëri, studentët e mjekësisë protestë kundër punësimit të detyrueshëm Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Studentët e degës së mjekësisë kanë protestuar në ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik në Shqipëri, kundër punësimit të tyre të detyrueshëm, si kusht i marrjes së diplomës, raporton Anadolu.

Dhjetëra studentë të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë kanë protestuar pranë ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe dekanatit të fakultetit, duke kundërshtuar ligjin që përcakton mënyrat e punësimit të tyre pas diplomimit.

Me pankartat me mbishkrimet "Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim", "Mjekësia bojkoton-anulo ligjin", "Ikëm se menduam që nuk ka shpresë, harruam që shpresa jemi vetë", studentët kanë protestuar kundër ligjit që përcakton mënyrat e punësimit të tyre pas diplomimit.

Ndërkohë, një grup i studentëve protestues kanë paralajmëruar edhe bojkot të procesit mësimor dhe vazhdimin e protestave.

Një grup i studentëve të mjekësisë kanë organizuar edhe më parë protesta kundër punësimit të tyre të detyrueshëm, ndërkohë nga ana tjetër një grup i studenteve të mjekësisë janë pro ligjit në fjalë.

Ligji që kundërshtohet nga studentët

Ligji "Për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë në institucionet publike të arsimit të lartë", është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 korrik 2023, ndërkohë është kundërshtuar nga studentët e mjekësisë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Sipas ligjit, studentët që do të pranohen në vit të parë në degën e mjekësisë në institucionet publike të arsimit të lartë, do të nënshkruajnë një marrëveshje për t'u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Sipas ligjit, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundësi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërtën, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura.

Institucionet shqiptare kanë deklaruar se ligji në fjalë synon kryesisht plotësimin e nevojave të sistemit shëndetësor për mjekë, shpërndarjen më të mirë të tyre si dhe parandalimin e largimit të mjekëve për të punuar jashtë vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.