Saimir Alija
01 Maj 2019•Përditësim: 02 Maj 2019
Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe sindikatave kanë organizuar tubime dhe aktivitete në Tiranë për kushtet e punës, rritjen e pagave dhe sigurinë në punë, raporton Anadolu Agency (AA).
Para godinës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë organizuan një tubim me qëllim sensibilizimin e institucioneve, sipas tyre, për më shumë vëmendje për kërkesat e punonjësve, për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe sigurinë në punë.
Në një prononcim për mediat, Ilma Lamçe, përfaqësuese e shoqërisë civile, tha se qëllimi i protestës është ndërgjegjësimi për krijimin e kushteve për një punë të denjë.
“Ne kemi organizuar sot një tubim paqësor dhe ka për qellim ndërgjegjësimin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe mbarë opinionin publik. Ne kemi dalë për të kërkuar kushte më të mira pune, siguri në punë dhe një punë të denjë. E drejta për punë është një drejtë themelore dhe kushtetuese e njeriut. Në vitin 2018 në Shqipëri ka pasur 27 persona që kanë humbur jetën në vendin e punës dhe 23 për qind e punëmarrësve punojnë mbi 40 orë në javë, që është në shkelje e Kodit të Punës”, deklaroi Lamçe.
Sipas saj, një problem shqetësues në Shqipëri vazhdon të mbetet edhe punësimi i të miturve.
Gjatë ditës së sotme edhe Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shqipëri ka mbajtur një tubim para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, të cilët kërkuan "paga dinjitoze, luftimin e burokracive në dokumentacion shkollor dhe kushte pune për një mësimdhënie bashkëkohore".
Ndërkohë një tubim para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë kanë mbajtur edhe minatorët të cilët kërkojnë miratimin e statusit të tyre.
Nga ana tjetër mesazhe për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve kanë përcjellë drejtues të lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeministri, Edi Rama.
Presidenti Meta në mesazhin e tij publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë thekson se me punën, mundin dhe energjinë e tyre, punëtorët kanë një kontribut thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e vendit.
“Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie dhe vazhdon të vuajë largimin në emigrim të shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar. Është detyra e shtetit në radhë të parë të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë që kjo kategori vitale të ndërtojë të ardhmen dhe të kontribuojë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë”, shprehet Meta.
Një Maji shënohet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, për të sjellë në vëmendje të drejtat e punëtorëve dhe kushtet e punës.