Fatjon Cuka
18 maj 2023•Përditësim: 19 maj 2023
Në Shqipëri është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzeve, ku institucione të ndryshme qendrore dhe lokale kanë organizuar aktivitete me fokus rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë, raporton Anadolu.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve çdo vit shënohet me një temë të caktuar dhe tema e këtij viti është "Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia”.
Në kuadër të 18 Majit, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, në Tiranë është organizuar tryeza e diskutimit rreth temës së kësaj dite, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe studiuesve.
Elsiona Kote, përfaqësuesja e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, në fjalën e saj në aktivitet tha se Dita Ndërkombëtare e Muzeve ka filluar të përkujtohet për herë të parë në Shqipëri në vitin 2005.
"Kjo si ditë është një ditë ndërkombëtare e vendosur në vitin 1977 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM). Për çdo vit, më datë 18 maj gjithë muzetë e botës dhe ICOM gjithashtu organizojnë dhe koordinojnë aktivitete të larmishme kulturore dhe sociale, që kanë në fokus rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rolin që luajnë muzetë në zhvillimin e shoqërisë", tha ajo.
Sipas saj, Ministria e Kulturës nëpërmjet rrjetit kombëtar të muzeve organizon aktivitete të ndryshme, në varësi të temave të përvitshme të përzgjedhura nga ICOM.
Kote theksoi se tematika e këtij viti përqendrohet në shëndetin dhe mirëqenin globale, sigurimin e një jete të shëndetshme, promovimin e mirëqenies për të gjitha moshat, veçanërisht në lidhje me shëndetin mendor dhe izolimin social.
Në kuadër të kësaj dite janë organizuar edhe aktivitete të tjera në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve shënohet çdo vit më 18 maj. Kjo ditë është caktuar nga ICOM (International Council of Museum - Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve) në vitin 1977, me synim rritjen dhe ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë.
Synimi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve është rritja e ndërgjegjësimit se "muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, si dhe bashkëpunimit dhe paqes midis popujve".