Shqipëri, shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut
Ceremonia qendrore për Ditën e Dëshmorëve është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit

Tiranë
Në Shqipëri është shënuar Dita e Dëshmorëve të Atdheut, ku në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.
Ceremonia qendrore për Ditën e Dëshmorëve është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit.
Pjesë e ceremonisë qendrore ishin presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Zyrtarët dhe të pranishmit e tjerë bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në Monumentin "Nëna Shqipëri".
Me rastin e 5 Majit, zyrtarët e lartë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
"Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, përulemi para guximit dhe sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Vlerat e tyre, trimëria dhe përkushtimi ndaj lirisë janë trashëgimi e shenjtë. Ne e kemi për detyrë t'i përcjellim brezit të ri këtë flakë atdhedashurie, duke nderuar përjetësisht kujtimin e tyre", ka shkruar presidenti Begaj në rrjetet sociale.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në rrjetet sociale ka shkruar se sot përulen me nderim të thellë ndaj dëshmorëve të Atdheut.
"Nderimi më i madh për dëshmorët është të realizojmë amanetin për të cilin ata ranë fli: Shqipërinë e zhvilluar, të drejtë dhe demokratike, e barabartë në dinjitet me kombet e kontinentit ku përkasim", ka shkruar Spiropali.
"Të paharrueshëm, Dëshmorët e Atdheut", ka shkruar kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Aktivitete dhe ceremoni të ndryshme me rastin e Ditës së Dëshmorëve janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Kujtojmë se 5 Maji është caktuar me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita e Dëshmorëve të Atdheut.