Fatjon Cuka
01 Shtator 2020•Përditësim: 01 Shtator 2020
Në Shqipëri sot kremtohet Dita e Ashures, që është dita e dhjetë e muajit Muharrem, ku organizohen ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në disa qytete të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia qendrore është mbajtur në Tiranë nën kujdesin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me pjesëmarrjen e klerikëve dhe besimtarëve, sipas masave të sigurisë për mbrojtjen ndaj pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Pjesë e aktivitetit përveç qytetarëve ishin edhe zyrtarë dhe personalitete nga fusha të ndryshme, të cilët iu bashkuan festimeve për Ditën e Ashures.
Gjatë ceremonisë në Tiranë mbajti një fjalë përshëndetëse kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke përcjellë për pjesëmarrësit mesazhet e unitetit dhe dashurisë.
Pas fjalëve përshëndetëse, për të pranishmit u organizua edhe shpërndarja e ashures, ëmbëlsira e posaçme që i kushtohet kësaj dite konsiderohet si simbol i bereqetit dhe unitetit.
Ndërkohë pjesëmarrësit në aktivitet kanë vazhduar ritet fetare, duke vizituar edhe ambientet e selisë së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ndërsa shpërndarja e ashures do të vazhdojë gjatë gjithë ditës së sotme.
Në muajin Muharrem është përjetuar edhe ngjarja e Qerbelasë, ku 1340 vite më parë u martirizua nipi i profetit Hz. Muhamed, Hz. Huseini dhe shumë të tjerë.
Gjatë regjimit komunist festimet për Ditën e Ashures në Shqipëri ishin të ndaluara për besimtarët, por kjo ditë filloi përsëri të shënohet pas vitit 1990, duke u vazhduar si traditë çdo vit.