BALLKANI

Shqipëri, ceremoni për vitin e ri akademik në UNYT

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e këtij universiteti në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve të Shqipërisë, pedagogë, studentë, prindër dhe të ftuar të tjerë

Fatjon Cuka  | 21.10.2019 - Përdıtësım : 22.10.2019
Shqipëri, ceremoni për vitin e ri akademik në UNYT ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Universiteti New York Tirana (UNYT) i Fondacionit Turk Maarif ka organizuar ceremoninë për hapjen e vitit të ri akademik 2019-2020 me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e këtij universiteti në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve të Shqipërisë, pedagogë, studentë, prindër dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës në ceremoni tha se një vit pas vizitës së ministrit turk të Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, në këtë universitet sot vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën gatishmëri.

"Ky është një universitet shumë mikpritës dhe miqësor dhe ofron një atmosferë shumë argëtuese. Nëse kujtoni gjatë ceremonisë zyrtare të universitetit këtë verë, unë kam nënvizuar se ky universitet jo vetëm që do të jetë universiteti më i suksesshëm i Tiranës, jo vetëm universiteti më i suksesshëm i Shqipërisë, por ky universitet do të jetë universiteti më i mirë dhe më i suksesshëm i rajonit", tha ambasadori Yörük.

Ambasadori turk tha se rritja e numrit të studentëve dhe nxënësve në institucionet arsimore të Fondacionit Maarif në të vërtetë është prova konkrete e besimit të dhënë nga miqtë shqiptarë ndaj Turqisë dhe administrimit të fondacionit.

Më tej gjatë fjalës së tij në ceremoni ambasadori turk theksoi se me shtimin e departamenteve të reja dhe qendrave të reja kërkimore do të rritet cilësia arsimore e këtij universiteti që të hapen dritare të reja mundësish për planifikim e karrierës.

"Le të ecim në këtë rrugë, së bashku, dorë për dore, krah për krah dhe të lejojmë që ky universitet të jetë një urë për një kohë të gjatë midis brezave të rinj të Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës", theksoi Yörük.

Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif, Cihad Demirli, në fjalën përshëndetëse në ceremoni theksoi se fondacioni filloi veprimtarinë e tij në Tiranë në janar të vitit 2017, me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin e forcimin e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, si në fushën e arsimit, ashtu edhe në marrëdhëniet sociale, kulturore, tregtare dhe ekonomike.

"Fondacioni Turk Maarif, është një institucion pioner, që duke përdorur shkencën dhe urtësinë e njerëzimit për paqen dhe qetësinë në botë edukon njerëz të aftë në 41 shtete me 315 institucione arsimore. Universiteti New York Tirana, pjesë e Fondacionit Turk Maarif, ka hapur dyert e tij me programet e studimit në ciklin e parë, ciklin e dytë dhe ciklin e tretë të studimeve, me një staf të kualifikuar vendas dhe të huaj të fokusuar tek cilësia dhe suksesi", tha Demirli.

Demirli theksoi më tej se UNYT me atmosferën e ngrohtë familjare që ofron, duke mbështetur studentët dëshiron të edukojë njerëz të aftë për t'u përzgjedhur si në rajon ashtu dhe në arenën ndërkombëtare.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, gjatë fjalës së tij tha se edukimi i brezit të ri është një detyrë shumë e rëndësishme dhe shumë delikate që kërkon shumë pasion dhe shtoi se UNYT ka treguar që di ta bëjë këtë gjë shumë mirë.

"Si pjesë e familjes së madhe Maarif bën që ky universitet të ecë i sigurtë në rrugën e dijes. Unë do të doja t'ju falënderoja në emër të Bashkisë së Tiranës për gjithë kontributin që jepni në edukimin e brezit të ri. Në këtë ndërmarrje kaq të madhe gjithsecili duhet të japë kontributin e tij që një produkt të jetë shumë i arrirrë dhe për këtë Bashkia e Tiranës për studentët e Universitetit New York Tirana ka gjithmonë dyert e hapura”, tha Seferi.

Prof. Dr İsmail Kocayusufoğlu, rektor i Universitetit New York Tirana, në fjalën e tij përshëndetëse tha se UNYT është universitet ndërkombëtar në kuptimin e bashkëpunimit me shumë universitete të nivelit të lartë.

"Universiteti është i mirënjohur si i pari, dhe gjithmonë do të mbetet universiteti i parë privat i Shqipërisë. Ky universitet ka hapur dyert e Shqipërisë për botën. Universiteti është duke edukuar në gjuhën angleze”, theksoi Kocayusufoğlu.

Fondacioni Turk Maarif administron disa institucione arsimore në Shqipëri, si UNYT, New York High-School, New York Basic Education, IMS Farm-Kindergarten, IMSA High-School Elbasan. UNYT ofron arsim në tre ciklet e studimit, respektivisht baçelor, master dhe doktoraturë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın