Saimir Alija
21 Prill 2019•Përditësim: 22 Prill 2019
Besimtarët katolikë në të gjithë Shqipërinë kremtojnë sot festën e Pashkëve, ku në vend janë mbajtur meshat tradicionale, raporton Anadolu Agency (AA).
Besimtarët katolikë janë mbledhur së bashku në meshën e mbajtur në Katedralen e "Shën Palit" në Tiranë, duke kryer ritet e tyre fetare, ndërsa pjesë ishin edhe përfaqësuesit e Kishës Katolike në Shqipëri. Mesha kryesore e Pashkëve në Tiranë u drejtua nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendo, ndërsa mesha u mbajtën edhe në qytete të tjera të vendit.
Mesazhe urimi për besimtarët katolikë kanë përcjellë drejtuesit e lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama. Presidenti Meta në urimin e tij shprehet se Festa e Pashkëve është një moment reflektimi.
"Sot gjithashtu kemi nevojë të reflektojmë për më shumë vëmendje edhe ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve e të sëmurëve, fëmijëve e të moshuarve, të cilët meritojnë solidaritet e dashuri më të madhe prej nesh", shprehet Meta në urimin e publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë.
Një nga traditat e Pashkëve është veza me ngjyra, ndërsa nuk mungojnë edhe vizitat mes besimtarëve për t'i shprehur urimet njëri-tjetrit.