BALLKANI

Shqipëri, konferencë mbi mirëmenaxhimin e financave publike

Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, për vitin 2022 një fokus të shtuar do të kenë institucionet e nivelit lokal

Saimir Alija  | 25.01.2022 - Përdıtësım : 26.01.2022
Shqipëri, konferencë mbi mirëmenaxhimin e financave publike fotot: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Nën organizim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë në Tiranë u zhvillua konferenca me temë "Sistemi i kontrollit të brendshëm si një nga shtyllat kryesore në mirëmenaxhimin e financave publike", raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e saj ishin drejtues të kësaj ministrie, ekspertë të financave publike dhe përfaqësues të bashkive të vendit.

Në fjalën e saj ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj tha se ministria që ajo drejton ka qëllim mbështetjen e vazhdueshme për njësitë publike, forcimin e sistemit të kontrollit dhe menaxhimit si dhe përmirësimin e raportimit financiar si pjesë e reformave të ndërmarra për mirëmenaxhimin e financave publike.

"Çdo vit Ministria e Financave dhe Ekonomisë kryen një raport vjetor për funksionimin e kontrollit të brendshëm financiar në qeverisjen e përgjithshme dhe nga ky raport ne marrim rekomandime dhe analiza, të cilat na shërbejnë për arritjen e objektivave në këtë fushë, të cilat janë rritja e ndërgjegjësimit në nivelin më të lartë menaxherial, përdorimi sa më efiçent i fondeve publike, forcimi i sistemit të monitorimit zbatimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm, reformimin e sistemit dhe rolin e auditit të brendshëm, nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor. Situata aktuale parashtron një axhendë mjaft ambicioze për të gjitha institucionet në nivel qendror", theksoi Ibrahimaj.

Sipas ministres Ibrahimaj, për vitin 2022 një fokus të shtuar do të kenë institucionet e nivelit lokal.

"Për të arritur progres duhet që vullneti dhe angazhimi i qëndrueshëm për reformat të jetë maksimal me qëllim që kontrolli i brendshëm të jetë sa më efikas dhe efektiv. Kapaciteti i duhur i burimeve njerëzore dhe financiare, ku do të fillojmë të kryejmë trajnime në nivel institucionesh", tha Ibrahimaj.

I pranishëm në aktivitet ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.