Fatjon Cuka
09 Maj 2019•Përditësim: 10 Maj 2019
Samiti i radhës i Procesit Brdo-Brijuni ka mbledhur së bashku në Tiranë liderët e vendeve të rajonit, ndërsa synimi i tij ishte që të përçojë një mesazh politik lidhur me aspiratën e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Në samitin që u organizua nën kujdesin e presidentit të Shqipërisë, llir Meta, ishin të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviç.
Pjesë e takimit ishin edhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini. Në takim nuk mori pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, i cili ka dërguar një mesazh të shkruar.
Në përfundim të samitit presidenti i Shqipërisë, presidentja e Kroacisë, presidenti slloven dhe presidenti polak, mbajtën një konferencë për mediat, të cilët u fokusuan në diskutimet e samitit, procesin e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në proceset e bashkëpunimit rajonal.
- Meta: Konkluzionet e samitit evidentuan ecurinë pozitive të rajonit
Meta tha gjatë konferencës se bisedimet në samit ishin të hapura, intensive dhe me frymë mirëkuptimi dhe shtoi se theksuan nevojën për nxitjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, sipas tij "duke u fokusuar në domosdoshmërinë e zgjidhjeve të çështjeve të mbetura pezull mes vendeve të rajonit".
"Nënvizuam rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me qëllim krijimin e një hapësire ekonomike atraktive për investimet sidomos nga vendet e Bashkimit Evropian. Konkluzionet e këtij samiti evidentuan ecurinë pozitive të rajonit e në mënyrë të veçantë arritjen e jashtëzakonshme për arritjen e Marrëveshjes së Prespës. U nënvizua angazhimi i përbashkët për të forcuar më tej dialogun dhe procesin e pajtimit në rajon. Të gjithë u angazhuam që të bashkëpunojmë më mirë dhe ngushtë për të ruajtur dhe garantuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë", theksoi Meta.
Rreth dialogut Kosovë-Serbi, presidenti i Shqipërisë tha se "Kemi inkurajuar palët që me lehtësimin e Komisionit Evropian të përqendrohen për të arritur një marrëveshje të zbatueshme dhe ligjërisht të detyrueshme sa më parë që të jetë e mundur".
- “Dëshiroj përfshirjen dhe konsolidimin e vendeve të rajonit në BE”
Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e ka konsideruar takimin konstruktiv dhe një formë e mirë për të diskutuar.
"Procesi i Brdo-Brijunit i ka dyert e hapura dhe kjo do vazhdojë të sjellë vëmendje të veçantë për këtë pjesë të Evropës. Unë dëshiroj përfshirjen dhe konsolidimin e vendeve të rajonit në BE. Konfirmoj përkushtimin tonë për të sjellë vendet e Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian. Ky proces duhet përdorur si katalizator për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për strategjitë e zgjerimit, për zgjidhjen e problemeve të hapura në mënyrë që të arrihet anëtarësimi i plotë”, tha presidentja e Kroacisë.
Duke folur për procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit, ajo theksoi se "Negociatat do të fillojnë me Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu edhe me Shqipërinë. Kroacia do të mbështesë hapjen e negociatave dhe ne do të vazhdojmë të argumentojmë nevojën e përmirësimit të proceseve të tjera që kanë të bëjnë me vendet kandidate. Dëshirojmë të shikojmë edhe Bosnjë dhe Hercegovinën që të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur një vend kandidat, dhe dëshirojmë sa më shpejt edhe liberalizimin e vizave për Kosovën."
Ndërsa presidenti slloven u shpreh se në takim kanë trajtuar çështjet në mënyrë të hapur dhe kanë debatuar për to në mënyrë shumë miqësore. "Pas zgjedhjeve evropiane dhe pas zgjedhjes të komisionit të ri është koha për Brukselin që të shikojë procesin e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor në një mënyrë tjetër. Komisioni, Parlamenti, i gjithë Bashkimi Evropian duhet të kenë përpara syve të tyre panoramën e përgjithshme të rajonit", theksoi Pahor.
Presidenti i Polonisë, Duda, tha se diskutimet ishin për stabilitetin në Evropën Juglindore, por edhe për rrugën drejt anëtarësimit në BE.
"Çështjet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut mes liderëve, nëpërmjet dialogut mes kombeve, mbi të gjitha për procesin e ndërtimit të prosperitetit dhe rritjes së standardeve të jetesës në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një detyrë e të gjithë shteteve anëtare të BE-së që ta kuptojnë dhe mbështesin këtë proces, mbi të gjitha për të mbështetur zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është qëllimi ynë të krijojmë paqe në Evropë”, tha presidenti i Polonisë.
Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale themeluar në vitin 2010.