Fatjon Cuka
28 Korrik 2023•Përditësim: 31 Korrik 2023
Në Shqipëri kremtohet Dita e Ashures, që është dita e dhjetë e muajit Muharrem, ndërkohë në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.
Ceremonia qendrore është mbajtur në Tiranë nën kujdesin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe personaliteteve të fushave të ndryshme.
Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mbajti një fjalë përshëndetëse gjatë ceremonisë qendrore, duke përcjellë për këtë ditë mesazhet e unitetit.
Pas ceremonisë në Tiranë, u organizua shpërndarja e ashures, ëmbëlsira e posaçme që i kushtohet kësaj dite dhe që konsiderohet si simbol i bereqetit dhe unitetit.
Gjatë regjimit komunist festimet për Ditën e Ashures në Shqipëri ishin të ndaluara për besimtarët, por kjo ditë filloi përsëri të shënohet pas vitit 1990, duke u vazhduar si traditë çdo vit.