Kulturë, BALLKANI

Shqipëri, fillojnë aktivitetet e "Javës Çame"

Aktivitetet janë hapur me ekspozitën "Çamëria ndër shekuj në harta dhe gravura paraqitur nga historianë dhe artistë të kohës” në Sheshin “Skënderbeu" në Tiranë, ndërsa për një javë do të organizohen edhe aktivitete të tjera përkujtimore

Fatjon Cuka   | 21.06.2021
Shqipëri, fillojnë aktivitetet e "Javës Çame" Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në kuadër të 77-të vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë me aktivitete të ndryshme ka filluar "Java Çame", raporton Anadolu Agency(AA).

Aktivitetet janë hapur me ekspozitën "Çamëria ndër shekuj në harta dhe gravura paraqitur nga historianë dhe artistë të kohës” në Sheshin “Skënderbeu" në Tiranë. Ekspozita me harta mbi Çamërinë dhe dokumente të tjera do të qëndrojë e hapur një javë, ndërkohë për një javë do të organizohen edhe aktivitete të tjera përkujtimore.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, në aktivitetin e hapjes së ekspozitës, në një prononcim për mediat tha se janë mbledhur për të përkujtuar spastrim etnik dhe gjenocidin mbi shqiptarët e Çamërisë.

"Sigurisht që kjo është një ditë e njohur edhe nga parlamenti shqiptar, 27 qershori i vitit 1944 me fillimin e masakrave mbi shqiptarët e Çamërisë nga krimineli Napoleon Zerva. Pa dyshim që ne jemi këtu për të kujtuar pasojat e asaj masakre. Kërkesa për drejtësi vazhdon edhe me pasardhësit e atyre që u shpërngulën nga gjenocidi dhe që u vranë", u shpreh Idrizi.

Ai theksoi se është momenti të ngrenë zërin, sipas tij "edhe karshi heshtjes nga politika shqiptare për çështjen çame".

"Ne jemi këtu për të bërë edhe një thirrje për të gjithë opinion publik, qeverinë shqiptare, mediat, që mos ta harrojnë Çamërinë, sepse Çamëria është një pjesë shumë e rëndësishme dhe që plotëson hartën identitare të kombit shqiptar. Është një padrejtësi që është bërë mbi shqiptarët dhe harresa është vazhdë e padrejtësisë", tha ndër të tjera Idrizi.

"Java Çame" organizohet nga data 21 qershor deri në datën 27 qershor nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet(PDIU) dhe Shoqata Patriotike “Çamëria”, ndërsa pjesë e saj janë ekspozita me fotografi dhe punime të tjera, promovime librash, konferenca dhe ceremoni të tjera përkujtimore në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 77-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë në Shqipëri është "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın