Fatjon Cuka
17 Shkurt 2022•Përditësim: 18 Shkurt 2022
Në Tiranë është hapur ekspozita me pullat postare të Kosovës, me rastin e 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e hapjes së ekspozitës në ambientet e Kalasë së Tiranës ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, të Postës Shqiptare, të Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë dhe studiues.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, drejtori i kabinetit në Postën Shqiptare, Dritan Çaka, duke përcjellë urimet për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, tha se ky aktivitet është kthyer në një traditë.
"Dëshirojmë që dhe ne të ofrojmë bashkëpunimin tonë, ndihmën tonë, që të tilla aktivitete edhe në vazhdim të jenë promotore të vlerave tona kombëtare", u shpreh Çaka.
Blerim Xhemajli, këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, duke përmendur disa nga figurat historike dhe të tjera të Kosovës që pasqyrohen në pulla, tha se në këtë ekspozitë shikojnë pullat postare të Kosovës para dhe pas pavarësisë së saj. "Këtë ekspozitë mendoj se duhet ta çojmë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë", u shpreh ai.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Muharem Gimjani, nënkryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, i cili paraqet në këtë ekspozitë koleksionin e tij të pullave.
Ekspozita njëditore përfshin pulla të lëshuara nga Posta e Kosovës, me tematika rreth pavarësisë së Kosovës, paqes, për artizanët e Kosovës, zbulimet arkeologjike, figurat historike dhe veprat artistike.
Filatelia e Postës së Kosovës është themeluar më 15 mars 2000, duke nisur edicionin e parë të pullave postare.