Husamedin Gina
09 Maj 2020•Përditësim: 10 Maj 2020
Me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, sot para Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori" u ngritën flamujt e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian (BE) dhe u nderuan të gjithë viktimat që humbën betejën me koronavirusin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e sotme morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, zv/kryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar.
Ceremonia filloi me nderimin e viktimave që humbën betejën me koronavirusin. Pastaj, me këndimin e himneve, u ngritën flamujt e Maqedonisë së Veriut dhe të BE-së.
Në fjalën e tij në ceremoni, me rastin e Ditës së Evropës, kryeministri Spasovski tha se sot ata kanë një arsye të madhe që të jenë pjesë e festimeve në gjithë Evropën dhe për të festuar idenë e madhe të Evropës.
"Qytetarët e vendit tonë kanë bërë zgjedhjen dhe ata janë krenarë për zgjedhjen e tyre. Ne zgjodhëm të ardhmen, të ardhmen e Bashkimit Evropian, sepse është e ndërtuar mbi vlera në të cilat besojmë dhe që i praktikojmë", tha Spasovski.
Koronavirusi i ri, siç theksoi kryeministri Spasovski, shkaktoi shkatërrim dhe na nxori përballë sfidave të paparashikuara, por gjithashtu solli diçka pozitive, duke treguar qartë se kontinenti evropian ka fatin e përbashkët.
Në fund të fjalimit të tij, Spasovski, në emër të qeverisë, dërgoi ngushëllimet e tij për familjet e të gjithë viktimave të COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, Evropë dhe botë, dhe falënderoi të gjithë punonjësit e shëndetësisë që ishin në vijat e para për të shpëtuar jetë.
Kreu i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar, theksoi se Dita e Evropës po festohet kur bota po përballet me një sfidë të paparë prej kohësh.
Zhbogar tha se virusi ka sjellë solidaritetin në ballë, i cili është një nga parimet thelbësore të BE-së, dhe se pikërisht kjo ka ruajtur paqen dhe prosperitetin në Union për 70 vjet.
"Të dashur miq, këto ditë unë jam veçanërisht krenar që jam evropian dhe gjithashtu përfaqësoj Bashkimin Evropian në vendin tuaj, ku ne jemi dëshmitarë të Evropës në dritën e saj më të mirë", tha ambasadori i BE-së Zhbogar.
Duke falënderuar punonjësit e shëndetësisë që janë në ballë të luftës kundër pandemisë, ai tha se ata ishin heronjtë e vërtetë të kohës dhe se "Ditën e Evropës" ua kushton atyre.