BALLKANI

Qindra udhëtarë nga Kosova janë bllokuar në kufirin Serbi-Kroaci

Fatmir Haxholli nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi tha se ky bllokim i kosovarëve në territorin e Serbisë po ndodh në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit pro të Kosovës për anëtarësim në AP të Këshillit të Evropës

Agim Sulaj  | 17.04.2024 - Përdıtësım : 24.04.2024
Qindra udhëtarë nga Kosova janë bllokuar në kufirin Serbi-Kroaci

Prishtinë

Qindra qytetarë nga Kosova janë bllokuar në pikë kalimin kufitar të Serbisë me Kroacinë ka bërë të ditur Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, transmeton Anadolu.

Fatmir Haxholli nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nëpërmjet një reagimi ka thënë se ky bllokim i kosovarëve në territorin e Serbisë po ndodh në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit pro të Kosovës për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ditën e djeshme.

"Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin 'Batrovci', Serbi - Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës", ka shkruar Haxholli.

Ai tha se qytetarëve të bllokuar, autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet dhe ende i kanë ato në mbajtje.

"Bllokimi i mbi 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin 'ky është një urdhër nga Beogradi'", ka shtuar Haxholli, duke thënë se është në pritje të përcjelljes së afërt që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci për t'iu gjetur afër qytetarëve.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB), duke bërë thirrje tek shtetasit e Kosovës që të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

"MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t'iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë", thuhet në njoftimin e dy ministrive kosovare.

Ato kanë bërë thirrje që për informacione qytetarët të ndjekin vetëm institucionet shtetërore për shkak se "në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit".

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro raportit të Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, organizatë ndërkombëtare me seli në Strasburg të Francës, duke bërë që Kosova të mbetet vetëm edhe një hap larg anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.