BALLKANI

Prokuroria e Maqedonisë së Veriut dhe Italisë memorandum bashkëpunimi

Prokurori Kombëtar italian për luftimit e mafias dhe terrorizmit ka marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut

Abdula Berisha   | 12.06.2019
Prokuroria e Maqedonisë së Veriut dhe Italisë memorandum bashkëpunimi ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Prokurori Kombëtar italian për luftimit e mafias dhe terrorizmit, Federico Cafiero De Raho, bashkë me zyrtarë tjerë italianë, ka marrë pjesë në konferencën “Bashkëpunimi dhe ndihma juridike në luftën kundër krimit të organizuar transnacional” që u organizua nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e financuar nga fondet IPA, të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri dhe ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski, ambasadori i Italisë në Shkup, Carlo Romeo, drejtori i policisë italiane, Franco Gabrieli, Shefi i misionit të OSBE-së, ambasadori Clemens Koja, Nicola Bertolini nga zyra e BE-së në Shkup si dhe përfaqësues të tjerë të organeve të hetuesisë nga Maqedonia e Veriut dhe Italia.

Në kuadër të konferencës, prokurorët publik nga Maqedonia e Veriut dhe Italia nënshkruan memorandum për bashkëpunim mes institucioneve.

Zv/kryeministri Spasovski tha se krimi i organizuar transnacional në të shumtën e rasteve është ngushtë i lidhur me terrorizmin ndërkombëtar, andaj paraqet kërcënim serioz permanent për të gjitha shtetet.

“Në kontekst të bashkëpunimit ndër-institucional dypalësh, rajonal apo multilateral, sot është më se e qartë se bazamenti i këtij bashkëpunimi patjetër të sistematizohet në bazë të informacioneve cilësore dhe në kohë të duhur, shkëmbim të tyre në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar”, tha Spasovski.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, tha se krimi i organizuar transnacional nuk njeh kufij, andaj lufta kundër tij kërkon angazhim të përbashkët dhe bashkëpunim mes shteteve.

“Ministria (e Drejtësisë) i kushton vëmendje të veçantë krijimit të kornizës ligjore për luftimin e krimit të organizuar si dhe për përforcimin e kapaciteteve dhe rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Deskoska.

Kryeprokurori italian për luftimit e mafias dhe terrorizmit, Federico Cafiero De Raho, tha se për të pasur luftë efikase kundër krimit të organizuar, është i nevojshëm aksion i përbashkët.

“Nuk guxojmë të harrojmë që krimi i organizuar është një organizim i tillë i cili më shumë se çdo organizim tjetër, paraqet kërcënim për lirinë dhe demokracinë e çdo vendi. Pse? Për shkak se e pamundëson iniciativën e lirë ekonomike, për shkak se ai nuk krijon vlerë shtesë në ekonomi", tha De Raho, duke shtuar se shpeshherë krimi i organizuar infiltrohet edhe në sferën politike.

Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski theksoi nevojën për bashkëpunim mes shteteve në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, duke theksuar se veprimi individual i një shteti nuk është i mjaftueshëm në këtë aspekt.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.