Zülfiya Yakup
26 Korrik 2019•Përditësim: 27 Korrik 2019
Me një ceremoni përkujtimore sot është vendosur gurthemeli për ndërtimin e shtatores së aktivistit dhe simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçi, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtatorja do të vendoset në rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës nga ana jugore e qytetit. Gurthemelin e vendosën kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, anëtarët e familjes së Demaçit dhe bashkëluftëtarët e tij.
Haradinaj me këtë rast deklaroi se Demaçit gjatë jetës iu shkurtuan të drejtat e njeriut, por ai kurrë nuk u ndal dhe ishte një frymëzim për të tjerët.
“Para një viti botën e lëshoi njeriu që kishe guximin të krijojë lirinë për popullin e tij të robëruar. Pa fjalët e tij, që rrezatonin shpresë, vështirë se njerëzit do të rezistonin dhe liria e Kosovës do të ishte vetëm ëndërr”, tha Haradinaj.
Ai rikujtoi se për shkak të betejes për liri të popullit shqiptar Demaçi kaloi 28 vite nëpër burgje, që kanë qenë vendi i punës së tij.
“Askush si baca Adem nuk ka ngjallur shpresë dhe bindje se liria është e mundur, e për ta fituar doemos duhet të jeni të guximshëm. Përfundimisht, baca Adem do t’i kthehet Prishtinës me qëllim që gjeneratat të tregojnë historinë e sakrificës dhe për të mbajtur të gjallë shpirtin tonë çlirues”, tha Haradinaj.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hidajet Hyseni, theksoi se Demaçi flet kur ai nuk është më në mesin e të gjallëve, sepse ishte dhe mbetet bashkues i popullit.
Adem Demaçi ka lindur më 26 shkurt të viti 1936, në fshatin Lupçi i Poshtëm afër Podujevës. Ai ishte gazetar, shkrimtar, politikan dhe aktivist i mirënjohur për të drejtat e njeriut.
Për angazhimin e tij politik në ish-Jugosllavi, Demaçi ka vuajtur 28 vjet burg. Pas lirimit të tij në vitin 1990, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik, ndërsa shumë e thirrnin edhe Nelson Mandela kosovar.
Themeloi dhe kryesoi Këshillin kosovar për të drejtat dhe liritë e njeriut nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1996, ai hyri në ujërat politike, duke marrë postin e ish-Partisë Parlamentare të Kosovës. Në atë periudhë, Demaçi propozoi krijimin e një Konfederate të Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi, që do të quhej Ballkani.
Në periudhën 1998/1999, kur u mbajt edhe Konferenca në Rambuje të Francës për të ardhmen e Kosovës, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës, ai nuk u mor me politikë.
Demaçi ka shkruar romanin “Gjarpërinjt e gjakut”, botimi i të cilit u ndalua nga ana e regjimit ish-komunist jugosllav. Libri doli menjëherë pas të 90'ta. Për këtë punë mori mirënjohje të shquara ndërkombëtare, çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Saharov”, çmimin e Universitetit të Oslos për të Drejtat e Njeriut (1995), si dhe në vitin 2010 ai mori çmimin Hero i Kosovës.