Prishtinë, mbahet performanca kundër korrupsionit “Sinjalizo”
“Në bazë të ligjit ne kemi caktuar mbi 170 përgjegjës në institucione publike ku sinjalizuesit raportojnë tek këta zyrtarë përgjegjës me qëllim të mbrojtjes së interesit publik”, tha Havolli

Prishtinë
Me një person me maskë në fytyrë të ulur pranë një makine duke grisur para, është shënuar performanca kundër korrupsionit e quajtur “Sinjalizo”, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo performancë e organizuar nga Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), është bërë me qëllim të sensibilizimit të punës me ata që sinjalizojnë korrupsionin në çfarëdo niveli, për ta parandaluar abuzimin me paranë publike.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Shaip Havolli tha se ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve ka hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe ai do t’u mundësojë të gjithë atyre që sinjalizojnë ta kenë mbrojtjen ligjore që deri më tash nuk e kanë pasur.
“Në bazë të ligjit ne kemi caktuar mbi 170 përgjegjës në institucione publike ku sinjalizuesit raportojnë tek këta zyrtarë përgjegjës me qëllim të mbrojtjes së interesit publik lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimet publike. Po ashtu, para një muaj ka hyrë në fuqi edhe rregullorja për mbrojtjen e sinjalizuesve e cila rregullon çështjen se si sinjalizuesit duhet të raportojnë dhe po ashtu se si ata mbrohen në faza të ndryshme”, tha Havolli.
Ai tha se të gjitha ata që sinjalizojnë duhet t'i ndjekin procedurat e parapara me ligj sepse në rast se dështojnë t’i ndjekin këto procedura, gjykatat mund të refuzojnë t’u japin mbrojtjen e nevojshme ligjore.
Menaxherja e projektit, Elmerina Ahmetaj tha se me këtë performancë kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes për dëmin që korrupsioni i shkakton shoqërisë por edhe për rolin që çdo person e ka në rolin kundër korrupsionit.
“Korrupsioni i shkakton dëme të mëdha shoqërisë dhe ndikon negativisht në çdo aspekt të saj. Por, kësaj mund t’i japim fund nëse vendosim të mos marrim pjesë në korrupsion. Prandaj, ftojmë qytetarët të sinjalizojnë duke shtypur butonin (simbolikisht) dhe t’i japin fund korrupsionit dhe shpërdorimit të mëtejshëm të parave të tyre”, tha Ahmetaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kundër Korrupsionit gjatë vitit 2019 janë shënuar pesë raste të sinjalizimit të korrupsionit, gjatë vitit 2020 gjithashtu janë shënuar pesë raste ndërsa në vitin 2021 deri më tash AKK po trajton katër raste të lidhura me sinjalizim.
“Sinjalizo” është pjesë e fushatës edukativo-informuese, që realizohet nga RAI, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit: Ndërprerja e Heshtjes përmes Përmirësimit të Politikave dhe Kulturës së Raportimit të Korrupsionit nga Sinjalizuesit në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi.