Husamedin Gina
19 Shkurt 2020•Përditësim: 19 Shkurt 2020
Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski së bashku me zv/kryeministren për Çështje Ekonomike, Milla Carovska u adresuan sot me rastin e 98-vjetorit të themelimit së Odës Ekonomike të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Spasovski në fjalimin e tij tha se përvjetori është shumë i rëndësishëm dhe i rrallë, jo vetëm si numër që dëshmon për një traditë të gjatë, por edhe për faktin se ky përvjetor flet se Oda Ekonomike është bashkëudhëtare gjatë gjithë historisë së shtetësisë së Maqedonisë së Veriut.
Duke nënvizuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Oda Ekonomike kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm, Spasovski tha se programi ekonomik i qeverisë ishte krijuar kryesisht me rekomandime të Odës Ekonomike.
Ai rikujtoi se zbatimi i programit ekonomik ka dhënë rezultate të suksesshme dhe se në një kohë rekord u hapën 60 mijë vende të reja pune ndërsa papunësia ra në 17.1 për qind.
"Me një ritëm të tillë dhe me pritjen për investime të reja pas anëtarësimit zyrtar dhe të plotë në NATO deri në vitin 2024 ne parashohim që shkalla e papunësisë të bie nën 10 për qind", tha Spasovski, duke shtuar se anëtarësimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE do të rrisnin sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut dhe kjo do të krijojë një bazë më të mirë për rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
Zv/kryeministrja për çështje ekonomike, Carovska theksoi se shënimi i 98-vjetorit është i rëndësishëm për të gjithë sepse Oda Ekonomike është një nga partnerët kryesorë të vendit.
"Pa idetë tuaja, pa konsultimet tuaja, pa pjesëmarrjen tuaj në hartimin e ligjeve, planeve, masave ekonomike ne nuk do të ishim në gjendje të arrinim qëllimet e përcaktuara nga kjo qeveri", tha Carovska, duke theksuar se dialogu me Odën Ekonomike zhvillohet në drejtimin e duhur dhe me një dialog të shkëlqyeshëm shoqëror.
Dita e Odës Ekonomike u shënua tradicionalisht me çmime dhe njohje për anëtarët e saj, të cilët kanë treguar rezultate të mëdha në vitin 2019.