Prof. Dr. İrfan Kaya Ülger, në një analizë për Anadolu Agency (AA) ka shkruar në 3 pika shkaqet e tensioneve Kosovë-Serbi dhe skenarët për zgjidhje.
Tensioni i fundit mes Serbisë dhe Kosovës buron nga rregullimi ligjor i qeverisë së Kosovës që parasheh dhënien e kartave të identitetit, patentave të shoferit dhe targave zyrtare për serbët lokal. Serbët lokalë të përqendruar në rajonin e Mitrovicës në Kosovë, me provokimin edhe të Serbisë, kundërshtuan këtë rregullim ligjor. Zbatimi i rregullores ligjore të bërë nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurt në korrik 2022, ishte shtyrë në nëntor pasi serbët që jetojnë brenda Kosovës kishin protestuar duke vendosur barrikada në kalimet kufitare dhe rrugët. Ndërkohë, edhe krerët e katër komunave me shumicë serbe kishin dhënë dorëheqje për të protestuar ndaj vendimit.
Më pas në nëntor, kur qeveria e Kosovës filloi të zbatojë sanksione ndaj atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin, tensioni sërish shënoi rritje. Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vepronte me vetëpërmbajtje ndaj provokimeve dhe shfryrjeve të serbëve lokalë, kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zgjodhi të provokojë serbët e Kosovës. Vuçiç doli me propozimin e dërgimit të 1.000 policëve të Serbisë në rajon për të mbrojtur serbët e Mitrovicës dhe për të ruajtur rendin publik në rajon. Gjithashtu, ai pretendoi se sipas të drejtës ndërkombëtare, shteti i Kosovës nuk ekziston dhe se është pjesë e Serbisë. Deklarata e fundit e administratës së Serbisë ishte se "ushtria është në gatishmëri".
Kurti, nga njëra anë i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar për parandalimin e ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme, nga ana tjetër i shtyu në prill të vitit 2023 zgjedhjet në katër komunat e serbëve në Kosovë që planifikoheshin për 18 dhjetor 2022. Barrikadat e serbëve të Kosovës të vendosura në rrugë dhe kalimet kufitare me qëllim të rebelimit kundër pushtetit qendror, u hoqën ditën e fundit të vitit me ndërhyrjen e ndërmjetësuesve.
Në bazën e mosmarrëveshjes mes dy vendeve qëndrojnë pretendimet e nacionalizmit serb mbi Kosovën. Ky botëkuptim i cili ndikon edhe politikën e jashtme të Serbisë, bazohet në mitin se Kosova është atdheu i serbëve. Sipas nacionalistëve serbë, "Mbretëria Mesjetare Serbe u zhduk në Betejën e Kosovës në vitin 1389 nga Sulltani osman Murati i Parë. Kjo është një zhvillim që ka ndodhë në histori. Me këtë, kjo ngjarje është përsëritur në historinë e afërt. Pasi Kosova ka fituar pavarësinë me Planin e Ahtisaari-t të 17 shkurtit 2008, serbët kanë humbur për së dyti atdheun e tyre". Miti i nacionalistëve serbë për Kosovën i bazuar në baza subjektive, pranohet në mënyrë implicite ose haptazi në mesin e serbëve.
Në Jugosllavinë e Dytë të themeluar nga Josip Broz Tito në vitin 1946, Kosova e kishte statusin e një rajoni autonom nën Serbinë. Presidenti i Shtetit Federal të Serbisë, Sllobodan Milosheviq në vitin 1989, pavarësisht se ishte në kundërshtim me kushtetutën federale, i kishte dhënë fund statusit autonom edhe të Vojvodinës edhe të Kosovës. Kosova, 90 për qind e popullsisë të së cilës përbëhet nga shqiptarët, mbeti nën presionin serb gjatë periudhës së Luftës së Bosnjës. Para Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, Millosheviq dëshironte që minoritetin serb të dëbuar nga Kroacia ta vendos në fshatrat e Kosovës. Kështu, serbët të cilët Kosovën e pranojnë si atdhe do të kishin rritur përqindjen e tyre në popullsinë e Kosovës. Ndërkaq, rritja e sulmeve të administratës së Millosheviqit ndaj shqiptarëve në qendrat dhe fshatrat e Kosovës, duke arritur në përmasat e spastrimit etnik, mobilizoi komunitetin ndërkombëtar.
NATO në vitin 1999 ndërhyri në operacionet e spastrimit etnik në Kosovë dhe këtu u themelua një administratë e përkohshme nën ombrellën e OKB-së (UNMIK - United Nations Mission in Kosovo). Përveç OKB-së, me mbështetjen edhe të organizatave si OBSE, BE dhe Këshilli i BE-së, Kosova mbeti nën administrimin e komunitetit ndërkombëtar deri në vitin 2008. Më 17 shkurt 2008, duke u bazuar në Planin e Ahtisaar-it, u shpall pavarësia e Kosovës. Sipas planit, Kosova e pavarur nuk mund të bashkohet me një shtet tjetër dhe nuk mund të ndahet. Serbia nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Me presionin e BE-së në vitin 2011 u nis dialogu Beograd-Prishtinë dhe në një kohë të shkurtër në vitin 2014 Serbia filloi negociatat e anëtarësimit në BE. Por Serbia nuk hoqi dorë nga pretendimet e saj mbi Kosovën.
Nuk ka ndonjë formulë magjike për zgjidhjen e menjëhershme të mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve. Fillimisht, nacionalizmi ekspansionist, hegjemonist dhe irredentist serb duhet të mbahet nën kontroll. Nacionalizmi serb, i cili ndikon edhe popullsinë në Serbi dhe i cili provokohet nga jashtë, nga Rusia, po përpiqet për realizimin e utopisë "Serbia e Madhe". Duke mos pasur baza realiste, sot kjo ideologji utopike parasheh bashkimin e rajonit serb të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovën me Serbinë si dhe gjithashtu përfshirjen e rajoneve të banuara nga serbët në Kroaci në "Serbinë e Madhe".
Kjo pikëpamje e ndikon edhe sot politikën e Serbisë. Opozitarët e akuzojnë Vuçiçin me mospërfillje të kauzës serbe. Kjo situatë shkakton që Vuçiç nga njëra anë të angazhohet për njohjen e Kosovës në mënyrë implicite, si dhe nga ana tjetër bërjen e deklaratave që mohojnë ekzistencën e saj. Nisja e negociatave të anëtarësimit të Serbisë me BE-në në vitin 2014 parandalon Beogradin që të mbështesë qasjen ekspansioniste ndaj serbëve të Kosovës dhe Republikës Sërpska. Administrata e Serbisë e di se pas një hapi të vetëm, negociatat me BE-në do të ndërpriten plotësisht dhe Serbia do të përjashtohet. Prandaj, aderimi i Serbisë në BE mund të jetë një faktor ndikues në heqjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi në vitet në vijim. Nga ana tjetër, zhvendosja e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në në fazën e kandidimit dhe negociatave do të reduktojë gjithashtu tensionin. Në këtë mënyrë, administrata e Kosovës më 23 dhjetor 2022 aplikoi për anëtarësim në BE.
Gjithashtu edhe ndikimi i qëndrimit pajtues dhe rolit ndërmjetësues të Türkiye-s në mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë është i madh. Kështu, falë kësaj nuk ndodhi ndonjë konflikt mes palëve që nga 2008 deri më sot. Avancimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të Türkiye-s me shtetet e Ballkanit Perëndimor në periudhën e ardhshme, gjithashtu do të reflektojë edhe në mosmarrëveshjet politike në rajon dhe do të kontribuojë në paqen. Në kushtet aktuale ndikimi i Türkiye-s në Ballkanin Perëndimor është të paktën në nivelin e BE-së.
Një faktor tjetër që parandalon nacionalistët fanatikë serbë në Mitrovicë dhe qëndrimin agresiv të Serbisë janë edhe njësitë e sigurisë të komunitetit ndërkombëtar që veprojnë në rajon. Në Kosovë ende gjenden 134 policë të EULEX (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe 3.500 forca paqeruajtës të NATO-s (KFOR- The Kosovo Force).
[Prof. Dr. İrfan Kaya Ülger, është akademik në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Kocaeli]
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.
news_share_descriptionsubscription_contact
