Fatjon Cuka
22 Mars 2022•Përditësim: 22 Mars 2022
Në Shqipëri është kremtuar Dita e Nevruzit, ku janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia qendrore tradicionale është organizuar në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë dhe klerikëve bektashinj.
Gjatë ceremonisë qendrore, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj përshëndeti besimtarët duke përcjellë urimet e tij për festën e Nevruzit.
Me rastin e Ditës së Nevruzit, zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shkruan: "Gëzuar Sulltan Nevruzin, festën simbol të fitores së pranverës mbi dimrin, të shpresës mbi dëshpërimin".
Edhe kryeministri Edi Rama ka publikuar mesazhin e tij në rrjetet sociale, ku shkruan se "me urimin për besimtarët bektashinj në këtë ditë të shënuar sot për ta, ju uroj të gjithëve një ditë me dritë brenda vetes."
Një mesazh urimi ka përcjellë edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, duke e konsideruar festën si "ditën e ringjalljes së shpresës, rilindjes së besimit dhe arritjes së lumturisë."
"Dita e Sulltan Nevruzit dhe festat e tjera fetare nuk i përkasin vetëm një komuniteti, por janë një festival vlerash, gëzimi e humanizmi, që shkojnë përtej besimit dhe kremtohen nga shumica e qytetarëve", thuhet në urimin e kryeparlamentares Nikolla, sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Dita e Nevruzit në Shqipëri shënohet si festë zyrtare, ndërkohë simbolizon ditën e shpresës dhe ripërtëritjes që përkon edhe me ardhjen e stinës së pranverës.