Kulturë, BALLKANI

Muzeu i Grave, atraksioni i veçantë i Tiranës

Në mesin e muzeve që ka Tirana është edhe Muzeu i Gruas, i hapur tre vite më parë si një nismë individuale e aktivistes të të drejtave të njeriut dhe koleksionistes shqiptare Elsa Ballauri

18.09.2021 - Përdıtësım : 20.09.2021
Muzeu i Grave, atraksioni i veçantë i Tiranës ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

FATJON CUKA

Kryeqyteti i Shqipërisë ka disa muze të cilët kanë tematika nga më të ndryshmet, duke i sjellë Tiranës turistë dhe një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike.

Në mesin e muzeve privatë dhe shtetërorë që ka Tirana është edhe Muzeu i Grave, i hapur tre vite më parë si një nismë individuale e aktivistes së të drejtave të njeriut dhe koleksionistes shqiptare Elsa Ballauri.

Pjesë e këtij muzeu janë veshje, sende personale, sende të jetës së përditshme, enë, pajisje të tjera shtëpiake, fotografi, dokumente, gazeta, revista, që kanë në fokus gruan dhe jetën e saj, rolin në familje, shoqëri, por edhe në institucionet e secilës periudhë që i përkasin.

Themeluesja e muzeut, Ballauri, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tregon se një nga qëllimet kryesore të hapjes së muzeut është për të zbuluar se si ka qenë jeta e grave në periudha të ndryshme historike, duke filluar që nga antikiteti e deri gjatë regjimit komunist.

"Para disa vitesh kam marrë një çmim që quhet pishtari i grave i cili i lejonte çdo gruaje në 100 vende të botës, të cilat duhet të bënin një aksion individual. Mendova se ishte e nevojshme që ne të kemi në Shqipëri një muze të grave dhe kam vënë në dispozicion gjithë koleksionin tim. Është një gjë shumë e bukur, mendoj se është një ëndërr e realizuar", shprehet Ballauri, duke treguar mbi lindjen e idesë për këtë muze.

Sipas saj, hapja e këtij muzeu është një dëshirë e kombinuar, duke e konsideruar nga ana tjetër edhe përgjegjësi, por edhe detyrë. "Punoj prej kohësh për të drejtat e njeriut dhe vetvetiu për të drejtat e grave dhe gjithmonë kam menduar që të drejtat e grave kanë nevojë për një tjetër gjë për t’u paraqitur", thekson ajo.

"Historia fillon që nga antikiteti, aq sa ne kemi zbuluar apo kemi njohuri nga jeta e grave ilire të asaj kohe dhe më vonë me të gjitha etapat historike. Gruaja shqiptare është paraqitur kryesisht në psikologjinë e saj femërore se si i ka shërbyer familjes. Nëpërmjet objekteve në muze shkohet jo vetëm tek kronologjia, por tek tema të caktuara", tregon Ballauri.

Në muze spikat sidomos periudha e komunizmit me veshjet, sendet e grave, revistat e kohës, jeta e tyre në familje dhe punë. Duke iu referuar kësaj periudhe, Ballauri thekson se "Kemi pasur një periudhë shumë të errët, atë të diktaturës e cila veproi ashtu siç deshi dhe ndërkohë i mohoi të gjitha periudhat e tjera. Mohimi i periudhave të tjera nuk duhet lejuar".

Një veshje karakteristike e ekspozuar në këtë muze është xhubleta, veshje prej shajaku të zi, e trashë dhe e fortë, me mes të ngushtë e me fund e valëzuar, që vishej zakonisht nga gratë e zonave të Malësisë së Madhe e të Dukagjinit në Shkodër.

Gjithashtu në muze janë të dokumentuara edhe dokumente, fotografi, gazeta dhe revista që pasqyrojnë kontributin e grave për shkollat e para shqipe dhe për shoqatat e grave.

“Dua të them që ne nuk e njohim akoma historinë tonë. Qëllimi i muzeut është si ta bëjmë sa më të prekshme, sa më të njohur për njerëzit dhe mendoj se ky është një kontribut edhe për historinë e Shqipërisë", thekson ndër të tjera Ballauri.

Ajo tregon se ka shumë interes nga turistë të huaj, por edhe vizitorët vendas. "Sigurisht që ka interes, është një gjë tipike që vizitorët e huaj kryesisht shkojnë tek periudha e komunizmit, ndërsa vizitorët shqiptarë shkojnë tek periudha e viteve '20-30, atje ku kanë njohuri më të pakta".

"Kjo është zyrtare për aq kohë se është e lejuar nga ligji të ketë muze private. Ky do të mbetet një muze privat sigurisht, një muze privat që është në shërbim të shoqërisë, në shërbim të komunitetit. Muzeu privat dhe muzeu joprivat janë e njëjta gjë, mjafton qëllimi i tyre dhe kjo është kryesorja", shprehet themeluesja e Muzeut të Grave.

Tashmë ky muze është pjesë e një rrjeti shumë të gjerë të muzeve të grave në botë, që sipas themelueses së tij, është një arritje shumë e madhe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.