Abdula Berisha
24 Tetor 2019•Përditësim: 24 Tetor 2019
Në organizim të më shumë organizatave joqeveritare nga sfera e sigurisë, në Shkup është mbajtur një panel diskutimi me temë "Periudha para nesh - koha e sfidave të sigurisë dhe hapat e domosdoshëm", raporton Anadolu Agency (AA).
Në panel diskutim u debatua rreth situatës së sigurisë pas vendimit të Bashkimit Evropian (BE) që të mos fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, ndërsa në të morën pjesë përfaqësues të Klubit të Gjeneralëve, Klubit të Diplomatëve, Forumit Ballkanik për Siguri dhe Shoqatës së Veteranëve dhe Rezervistëve.
Në deklaratë për mediat, profesori Bllagoja Markovski tha se Maqedonia e Veriut ndodhet në një periudhë shumë të ndjeshme, por theksoi se në planin global mosfillimi i bisedimeve nuk do të duhej të ndikojë në sigurinë e vendit.
"Ajo që është më e rëndësishme në këtë moment është që Maqedonia e Veriut nuk guxon të anashkalojë realizimin e qëllimeve të saj strategjike që i ka filluar, anëtarësimin në NATO dhe fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kthimi prapa do të na kthente në vitet kur merreshim me probleme të tipit të marrëdhënieve ndëretnike, krimeve të ndryshme, proceseve obstruktive dhe destruktive", tha Markovski.
Ai shtoi se në Maqedoninë e Veriut krijohet një mjedis i sigurtë me anëtarësimin në NATO dhe se vendi duhet të vazhdojë rrugën për zhvillim që e ka filluar.
Markovski tha se marrëveshjet që Maqedonia e Veriut i ka nënshkruar me Greqinë dhe Bullgarinë nuk mund të rishikohen nga asnjë pushtet, pasi janë marrëveshje ndërkombëtare.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Trajan Gocevski, tha se mosfillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE shqetëson qytetarët, por sipas tij, ky nuk është një faktor që mund të ndikojë në sigurinë e vendit.
"Nga kërcënimet aktuale ndaj nesh, edhe më tej mbetet kriza e emigrantëve e cila është e paparashikueshme. Rezulton se kjo është një problem afatgjat i Evropës dhe më gjerë. Pra, në këtë aspekt duhet të jemi shumë syçelë pasi nuk dihet, nga dita në ditë ndryshojnë situatat", tha Gocevski.