Furkan Abdula
24 tetor 2022•Përditësim: 25 tetor 2022
SHKUP (АА) - Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, hapi Konferencën e sivjetmë Mesdhetare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Jordani, në cilësinë e kryesuesit të grupit të partnerëve mesdhetarë për bashkëpunim të OSBE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në fjalën hyrëse, Osmani iu referua sfidave të përbashkëta të sigurisë me të cilat përballen vendet e Mesdheut dhe vendet pjesëmarrëse të OSBE-së.
Ai iu referua agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe ndikimit të fortë në proceset politike dhe të sigurisë në rajonin e OSBE-së dhe në vendet e Mesdheut.
"Pavarësisht se përpjekjet tona të përbashkëta për të ndaluar agresionin kundër Ukrainës nuk po japin fryte për momentin, në dritën e fytyrës luftarake të Federatës Ruse, kjo nuk është koha për disfatizëm, por për angazhim aktiv. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të reduktuar dhimbjen dhe ashpërsinë e agresionit, me një fokus të fortë te njerëzit që vuajnë dhe kanë nevojë për mbështetje. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë forum për të ritheksuar ndërvarësinë e sigurisë mes dy rajoneve, atë të OSBE-së dhe Mesdheut, në mënyrë konstruktive dhe në frymën e partneritetit të vërtetë – prioritete të përbashkëta që ndikojnë në jetën e të gjithë qytetarëve tanë", tha Osmani.
Në vazhdim ai iu referua rëndësisë së zbatimit të axhendave kombëtare në mbështetje dhe fuqizim të të rinjve, grave, përballjes me efektet e ndryshimeve klimatike dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Osmani nënvizoi se këto tema do të jenë pjesë e axhendës prioritare gjatë kryesimit të vendit me OSBE-në në vitin 2023.
"Rinia jonë tashmë po ndjen efektet blu të krizës klimatike. Ata duhet të jenë në ballë për t'u përballur me këto fenomene për vitet në vijim. E ardhmja jonë do të jetë në duart e tyre dhe ne duhet të krijojmë parakushte për veprim efikas dhe angazhim efektiv të tyre", theksoi ai.
"Fokusi i debatit ishte në sfidat e sigurisë të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe implikimet përkatëse; ndërvarësia e sigurisë ndërmjet rajoneve, evropiane dhe mesdhetare, dhe nevoja për bashkëpunim konkret dhe angazhim pozitiv; implikimet e agresionit, mungesës së ushqimit, pasigurisë energjetike, krizës klimatike etj.", thuhet në njoftim.
Në konferencën dyditore marrin pjesë mbi 200 përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve mesdhetarë për bashkëpunim në tema prioritare që lidhen me fuqizimin e të rinjve dhe grave, që kanë të bëjnë me rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe trafikimin e qenieve njerëzore etj.