Agim Sulaj
26 Janar 2023•Përditësim: 27 Janar 2023
Është mbajtur në Prishtinë Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë me përfaqësues të institucioneve, bizneseve vendore dhe kroate, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të këtij Forumi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Kroacia janë të lidhura ngusht me njëra-tjetrën politikisht, historikisht por edhe gjeografikisht, ndërsa ka ardhur koha që të forcohet po ashtu edhe lidhja ekonomike.
Kurti tha se ndjehet i sigurt se dy shtetet janë në rrugën e sigurt për ta bërë forcimin e lidhjes ekonomike.
"Eksportet tona në Kroaci janë trefishuar ndërkaq importet nga Kroacia janë dyfishuar. Për momentin janë më shumë se 160 kompani kroate që po punojnë në Kosovë me rreth 650 punëtorë. Jam i sigurt se këto shifra vetëm sa do të rriten në javët, muajt e vitet në vijim", theksoi Kurti.
Plenkoviq: Kroacia e përkrah rrugën evropiane të Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se është koha për t’i përmirësuar marrëdhëniet ekonomike në përgjithësi midis dy vendeve, derisa shtoi se është i kënaqur që në forum po marrin pjesë më shumë se 50 sipërmarrës kroatë, si mundësi për të bërë shkëmbime tregtare mes biznesmenëve.
"Kroacia e përkrah rrugën evropiane të Kosovës. Isha shumë i kënaqur që Kosova ka dorëzuar anëtarësimin për në BE në dhjetor në Presidencën Çeke dhe ne do të vëmë në dispozicion gjithë dijen dhe eksperiencën tonë për të mbështetur përgatitjet drejtë anëtarësimit final në BE", theksoi Plenkoviq.
Në forum kanë qenë të pranishëm ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë së Republikës se Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë.
Ndër temat kryesore kanë qenë bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, bashkëpunimi i Odave Ekonomike, bashkëpunimi në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës; bashkëpunimi në edukim, turizëm, e të tjera.
Në fund të pjesës së parë të forumit u nënshkrua edhe një marrëveshje në fushën e turizmit midis ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari dhe ministrit të Turizmit dhe Sportit të Kroacisë, Tonçi Glavina.
Kurti: Njohja reciproke Kosovë-Serbi është në qendër të marrëveshjes
Kryeministri Albin Kurti, pas pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik, në një deklaratë për gazetarët tha se dje bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi kanë zhvilluar takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin kanë diskutuar gjatë për propozimin e BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
Kurti tha se çështja e të drejtave të pakicave dhe marrëveshjeve të mëhershme në Bruksel është përbrenda propozimit të BE-së.
Figurativisht, Kurti duke folur për çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tha se "nuk mund ta nxjerrim qerren para kalit", derisa shtoi se diskutimet për asociacionin do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.
"Pra, unë jam i gatshëm që të shkojmë në Bruksel dhe ta diskutojmë propozimin për të cilin kam thënë qysh në shtator të vitit të kaluar se është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme dhe është kornizë/platformë e përshtatshme për të ecur përpara. Pra, nuk mund të flasim për pjesën, pa e hapur tërësinë, e tërësia e siguron normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër. Unë edhe njëherë po e ritheksoj që nuk është njohja reciproke, që është në qendër, e vetmja gjë e kësaj marrëveshje, i vetmi element. Mirëpo është elementi qendror. Pjesët e tjera, janë pjesë të tjera", theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti të mërkurën mbrëma ka takuar Lajçakun, i cili pas takimit deklaroi se me kryeministrin Kurti dhe kryenegociatorin Bislimi, u dakorduan për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara Kosovë-Serbi.