Fatjon Cuka
17 tetor 2021•Përditësim: 18 tetor 2021
Në Shqipëri është mbajtur edicioni i pestë i Maratonës së Tiranës, ku morën pjesë rreth 2.500 garues në disa kategori, prej të cilëve 1.000 ishin nga shtete të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në hapje të maratonës tha se sot vrapohet edhe për kauza të rëndësishme, sipas tij për të treguar që "jemi një vend i hapur dhe një qytet i hapur".
"Faleminderit që keni mbushur Tiranën plot me gëzim, falënderoj sidomos ata 1.000 vetë që kanë ardhur nga 35 shtete të ndryshme, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Presheva. Ne jemi zyrtarisht të hapur dhe rikthimi i maratonës pas viteve mungesë është ndoshta shenja më e bukur e një Tirane që do i rikthehet normalitetit e jetës aktive", u shpreh Veliaj.
Pas përfundimit të maratonës u shpallën dhe fituesit, ku në kategorinë kryesore të meshkujve në 42 kilometra në vendin e parë u rendit Ilir Kellezi nga Shqipëria, ndërsa në kategorinë e femrave në vend të parë u rendit Veretska Valentyna nga Ukraina.
Për mbarëvajtjen e maratonës u angazhuan qindra forca policore, ndërsa u ndalua qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore në kryeqytet.