Dzihat Aliju
21 Prill 2026•Përditësim: 21 Prill 2026
Ministri i Administratës Publike i Maqedonisë së Veriut, Goran Minçev zhvilloi takim dypalësh me ministrin e Drejtësisë të Bosnjë e Hercegovinës, Davor Bunoza, transmeton Anadolu.
Takimi u zhvillua në margjinat e Konferencës Ministrore që po mbahet në Budva të Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Sipas një njoftimi nga Qeveria, takimi iu kushtua thellimit të bashkëpunimit të deritanishëm dypalësh mes dy institucioneve, ku u shqyrtuan mundësitë për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi si bazë për një ndërveprim të ardhshëm partneriteti më intensiv dhe të strukturuar.
"Në fokus të bisedimeve ishin reforma e administratës publike, avancimi i kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira në drejtim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve publike", theksohet në njoftim.
Më tej thuhet se bashkëbiseduesit konfirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të njohurive dhe ekspertizës, me qëllim mbështetjen e proceseve reformuese dhe përafrimin me standardet evropiane.