Abdula Berisha
11 Janar 2022•Përditësim: 12 Janar 2022
Mandatari për përbërjen e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zyrtarisht ia dorëzoi Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, Propozim-përbërjen dhe Propozim-programin e punës së Qeverisë së re, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Dimitar Kovaçevski, më 29 dhjetor mori mandatin nga presidenti Stevo Pendarovski, pasi më 23 dhjetor Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjen e ish-kryeministrit Zoran Zaev, i cili gjithashtu vinte nga radhët e LSDM-së.
Mandatiari Kovaçevski dhe Xhaferi realizuan edhe një takim të shkurtër, ndërsa në deklaratë për mediat pas takimit, Kovaçevski foli rreth përbërjes dhe programit qeveritar.
"Para pak çastesh ia kam dorëzuar kryetarit të Kuvendit përbërjen e Qeverisë së bashku me programin. Përbërja e Qeverisë ka emrat që i kemi shpallur dje nga LSDM-ja, ministrat e BDI-së, LDP-së dhe Alternativës", tha Kovaçevski.
Ai u shpreh se programi paraqet vazhdimësi të programit të LSDM-së dhe partnerëve qeveritarë.
"Programi është vazhdimësi e legjitimitetit elektoral të fituar në zgjedhjet e vitit 2020, duke përfshirë edhe përcaktimet programore të partnerit të ri të koalicionit Alternativa, si dhe synimet e reja programore që kanë dalë nga sfidat që e presin këtë Qeveri", tha Kovaçevski.
Ndër sfidat kryesore, ai përmendi krizën energjetike, ruajtjen e mirëqenies së qytetarëve, si dhe vazhdimin e investimeve kapitale, ndërsa u shpreh se integrimet evropiane janë ndër prioritetet kryesore.
"Sa i përket integrimeve evropiane, ato janë prioritet, edhe atë prioritet kryesor i Qeverisë dhe po ta shikoni programin që tani do t'u dërgohet deputetëve, i gjithë një kapitull i programit i kushtohet integrimeve evropiane", tha Kovaçevski, duke shtuar:
"Ne jemi anëtare e NATO-s dhe ky është përfitimi më i madh që kemi pasur nga qeveria e LSDM-së dhe partnerët e koalicionit sepse janë marrë vendime vërtet të vështira dhe të mëdha për vendin. Së dyti, BE-ja është qëllimi ynë strategjik dhe ne meritojmë të hapim negociatat me BE-në".
Ndërkohë, kryeparlamentari Xhaferi përmes rrjeteve sociale njoftoi se seancën ku do të diskutohet dhe votohet për përbërjen dhe programin e Qeverisë së re do ta caktojë për të shtunën, më 15 janar.