BALLKANI

Lajçak: Dialogu Beograd-Prishtinë në rrugën e duhur

Shefi i diplomacisë evropiane, Borrell vlerësoi se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ka rëndësi thelbësore për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës dhe Serbisë

Andjelija Stojkovic  | 12.07.2020 - Përdıtësım : 13.07.2020
Lajçak: Dialogu Beograd-Prishtinë në rrugën e duhur

Beograd

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak vlerësoi sot pas një takimi me video me përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës se dialogu është rikthyer në rrugën e duhur, raporton Anadolu Agency (AA).

"Më vjen mirë që mund të them që pas samitit në Paris dhe takimit të sotëm, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, i ndërmjetësuar nga BE-ja, është rikthyer në rrugën e duhur pas 20 muajsh", tha Lajçak pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës. Avdulah Hoti.

Ai tha se kanë rënë dakord për elementet kryesore të procesit dhe temat e takimit tjetër, i cili do të mbahet të enjten në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell tha në një video fjalim në fillim të takimit sot se vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës kërkon guxim nga të dyja palët dhe angazhim në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.

"Asnjëherë nuk është e lehtë të gjesh një zgjidhje për problemet afatgjata dhe të dhimbshme por kjo është arsyeja pse ne jemi këtu për të provuar përsëri", tha Borrell para fillimit të video-konferencës së sotme.

Shefi i diplomacisë evropiane vlerësoi se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ka rëndësi thelbësore për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës dhe Serbisë, për perspektivën e tyre evropiane dhe sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.

Video-konferenca zgjati më shumë se dy orë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın