Kuvendi i Kosovës diskuton për procesin e dialogut Kosovë-Serbi
“Pranimi i propozimit kryesor të planit evropian përbën avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de fakto”, theksoi Kurti
Prishtinë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare, si dhe planin evropian të njohur edhe si plani franko-gjerman si marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu.
Në seancën e thirrur nga opozita, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij foli gjerësisht për planin evropian që nga prezantimi i tij tek pala kosovare deri në takimet e fundit për diskutimet rreth këtij plani.
Kurti tha se ky plan ka edhe një draft të dytë ku janë përfshirë dy parime të palës kosovare, ndërsa bëri të ditur se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë e kanë bërë të qartë se plani franko-gjerman është fare pranë propozimit “merre ose leje”.
“Pranimi i propozimit kryesor të planit evropian përbën avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de fakto. E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë të ndonjë asociacioni, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre. Dhe, e treta, tash, hapi kryesor dhe ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me asociacionin, do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit. Aty, qëndrimi im është që asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohen gjashtë kushtet që i kam paraqitur para jush një javë më parë”, theksoi Kurti.
Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është partia më e madhe opozitare në Kuvend, tha se partia e tij përkrah një dialog i cili ka një epilog dhe që përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi.
Krasniqi tha se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte opozitën për një diskutim mbi dialogun duke njoftuar në mënyrë periodike mbi ecurinë e dialogut.
“Do të ishte e udhës edhe që të na kërkonte ndihmë e bashkëpunim në rast nevoje me aq sa kemi mundësi e potencial për ta ndihmuar sepse përballë Serbisë dhe aspiratave të saj, mes nesh nuk ka dallime. Përballë Serbisë, jemi bashkë. Por, ja që u desh si opozitë që ta ftojmë Qeverinë në këtë debat për shkak se teknikisht po shohim që ka pasur lëvizje në dialog, megjithatë edhe ne, sikurse qytetarët jemi të pa informuar rreth këtyre lëvizjeve dhe veçmas, pasojave që ato mund të prodhojnë për shtetin dhe shoqërinë tonë”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi kërkoi nga kryeministri Kurti që të tregojë se cili është qëllimi i propozimit franko-gjerman për dialogun dhe çfarë mundësish ka ky plan.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se mungesa e raportimeve të rregullta mbi dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel është bërë jo vetëm praktikë nga ana e Qeverisë, por edhe refuzim.
Abdixhiku tha se koordinimi i Kosovës me aleatët e saj “nuk ka qenë kurrë më i largët dhe më i dëmshëm se sa sot”.
Kreu i LDK-së tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të bëhet sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kujtoi formimi i asociacionit ka qenë pjesë e një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.
“Janë dy rrugë që i keni përpara. Njëra ta zhbëni këtë marrëveshje ndërkombëtare, dhe dy, ta implementoni sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Të tjerat janë lojëra fjalësh për debate e konsume populiste në Kuvend”, theksoi Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha para deputetëve se AAK-ja është pro planit franko-gjerman. Sipas Haradinajt, marrëveshja që përmban ky plan do të jetë ndarje finale midis Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi konfirmim direkt se menjëherë me këtë marrëveshje, kemi konfirmim nga SHBA-ja që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani franko-gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tanë kryesore, ecjen drejt NATO-s. Derisa s’kemi hyrë në rresht në marrëdhënie kontraktuale me NATO-n, Kosova s’është e sigurt. Zhbllokohet anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kandidatura jonë drejt BE-së. Kur jemi tek OKB-ja, rruga jonë mund të jetë e vështirë, por mund të jetë më e avancuar nëse kemi nisur rrugën drejt NATO-s”, tha kreu i AAK-së.
Në fillim të muajit shkurt, kryeministri Kurti, duke folur për marrëveshjen përfundimtare dhe për asociacionin si kërkesë kryesore të palës serbe për të vazhduar përpara, tha se përpos që asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, janë edhe pesë kushte të tjera.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe me ndërmjetësimin e BEt Evropian (BE), por nuk është zbatuar deri më tani.
Pala ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues nga BE-ja dhe SHBA-së kanë intensifikuar vizitat në Kosovë dhe kërkesën ndaj krerëve të institucioneve kosovare për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë themelimin e Asociacionit si një nga kushtet për të arritur deri tek një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
