Agim Sulaj
27 Shtator 2023•Përditësim: 28 Shtator 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të dielën në Banjskë të Komunës së Zveçanit është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare në Kosovë, raporton Anadolu.
Kurti në fjalën e tij para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se të njëjtën ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste të cilët Qeveria i ka luftuar për 2 vjet e gjysmë.

"Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah, për krah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë me presidentin e Serbisë Vuçiq, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes", theksoi Kurti.
Ai tha se përballë këtyre është dëshmuar kapaciteti i plotë i Policisë së Kosovës për të mbrojtur Republikën e Kosovës derisa nënvizoi se "ky është suksesi më i madh i Policisë tonë që nga shpallja e pavarësisë". Kurti tha se sulmi terrorist i së dielës ka ekspozuar edhe vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkomëbëtar edhe më të madh në ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit të Kosovës me Serbinë.
Kurti tha se kufirin me Serbinë, më shumë se sa vija e gjatë kufitare e terreni malor, të rrezikshëm e të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar.
"Pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve: rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë", theksoi Kurti.
Pas fjalës së kryeministrit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se sulmi në Banjskë kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm, atë të përdorimit të një aseti kulturor dhe fetar si strehë për fshehje të armatimit, Manastirin e Banjskës.
Çeku theksoi se qëllimi i këtij grupi i cili i ka shkaktuar edhe dëme fizike objektit të manastirit, ka qenë që të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare në Kosovë. Ministri shtoi se Qeveria e Kosovës do të dërgojë ekipe për vlerësimin e dëmeve që grupi terrorist i ka bërë objektit të Manastirit dhe më pas të intervenojë me renovimin e tyre.
Qeveria e Kosovës pas fjalëve hyrëse mori vendim për ndarjen e 50 mijë eurove si ndihmë për familjen e policit Afrim Bunjaku të rënë gjatë detyrës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit pas sulmit ndaj njësitit policor që i bëri grupi terrorist i armatosur prej më shumë se 30 personash.
Kosova e ka bërë përgjegjëse direkte Serbinë për sulmin që ndodhi në Banjskë ndaj njësitit policor.
Sulmin ndaj Policisë së Kosovës e ka dënuar edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.