BALLKANI

Kurti reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese

“Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar”, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Agim Sulaj  | 29.05.2020 - Përdıtësım : 29.05.2020
Kurti reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një reagim ndaj vendimit nga Gjykata Kushtetuese ka thënë se ajo e zhvlerësoi veten dhe u “rreshtua me kapësit e shtetit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti tha se “mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend”.

Sipas tij, me vendimin e saj interpretimi i Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese kishte qasjen, siç e quajti ai, “meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë”.

“Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekzistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit. Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon”, ka shkruar Kurti.

Kurti përmendi tutje edhe disa raste që sipas tij Gjykata në vend të interpretimit të Kushtetutës, është marrë me rishkrimin e saj.

Ai theksoi se “një vlerësim të plotë e të hollësishëm nga këshilltarët tonë ligjorë do të mund ta kemi pasi ta marrim tekstin e plotë të Aktgjykimit”.

“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar”, theksoi Kurti.

Në fund Kurti tha se nuk kanë pasur shpresa të mëdha për vendimin e kësaj Gjykate, por ky vendim “është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”.

Në aktgjykimin e saj të publikuar mbrëmë, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i presidentit i datës 30 prill për t'ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatin e ri për formimin e qeverisë nuk është në kundërshtim me kushtetutën, siç kishte pohuar Vetëvendosje në kërkesën e saj për shqyrtim nga ana e gjykatës.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin u votua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash më 3 shkurt, ndërsa më 25 mars nëpërmjet një mocioni të mosbesimit të organizuar nga partneri qeverisës i Vetëvendosjes, LDK, u votua pro rrëzimit të saj. Që nga 25 marsi, qeveria ka vazhduar punën në detyrë. Gjatë kësaj kohe, Vetëvendosje vazhdimisht ka deklaruar se qeveria e re e vendit duhet të formohet përmes zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.