Agim Sulaj
21 tetor 2022•Përditësim: 21 tetor 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kurti i cili këtë bisedë e zhvilloi pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë, me Borrell-in ka folur për mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për çështje aktuale.
Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër, shkojnë bashkë kudo në Kosovë.
Kurti më herët gjatë ditës ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë me të cilët po ashtu diskutoi për dialogun dhe targat ilegale të veturave në pjesën veriore të Kosovës.
Në lidhje me vendimin për targa, i cili përkufizon se targat ilegale që ende qarkullojnë në pjesën veriore të Kosovës duhet të kthehen në “RKS”, Kurti tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.
“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti gjatë javës takoi edhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobar pas takimit me Kurtin për një televizion kosovar tha se ka kërkuar nga Kurti shtyrjen e afatit për mundësinë e legalizimit të targave edhe për 10 muaj. Një kërkesë të njëjtë për institucionet kosovare e ka bërë edhe BE-ja.
Afati që serbët në Kosovë t’i legalizojnë targat e automjeteve të tyre zyrtarisht përfundon më 31 tetor.