Agim Sulaj
07 Mars 2024•Përditësim: 08 Mars 2024
PRISHTINË (AA) – Është shënuar me manifestim zyrtar në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë 7 Marsi – Dita e Mësuesit, raporton Anadolu.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe mësimdhënës nga e gjithë Kosova, për të treguar mirënjohje për mësimdhënësit në Kosovë.
Fillimi i manifestimit të Ditës së Mësuesit u ndërpre nga dhjetëra aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët në një aksion simbolik i dhanë vlerësim negativ punës së ministres Nagavci. Në sallën e Bibliotekës, para mësuesve të mbledhur, ata shfaqën një librezë të madhe shkollore në të cilën ministres Nagavcit i jepnin nota të dobëta për performancën e saj në krye të Ministrisë së Arsimit.
Pasi policët negociuan pa sukses me aktivistët për rreth një orë për të hequr vetë librezën, policia mori masa. Fillimisht, ajo i dëboi aktivistët nga Biblioteka dhe më pas arrestoi ata që rezistuan.
Pas kësaj situate, në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se shkolla edukon gjenerata të reja të nxënësve që kanë nevojë për gjuhën, shkencën, kulturën, artin, natyrën dhe arsimin.
Kurti theksoi se shkollat janë vend integrimi i gjeneratave të reja dhe janë ndër institucionet më të larta të njerëzimit.
“Përsëri është mësuesi ai që përveç mësimit logjik, kryen edhe zgjimin e imagjinatës, nxitjen e fantazisë, aftësinë për të përvetësuar çdo informacion të ri të vështirë që do ta ndeshim në jetën e rritur në mënyrë të natyrshme”, theksoi Kurti.
Ministrja Nagavci theksoi se në këtë ditë, të rinj dhe të mëdhenj falënderojnë publikisht mësuesit e tyre për përpjekjet dhe përkushtimin e tyre. Ajo theksoi se Ministria ka ofruar tekste të veçanta për të mbështetur zhvillimin profesional të edukatorëve.
“Në tre vitet e fundit janë trajnuar 16.959 mësimdhënës, në 172 programe të ndryshme trajnuese, që nga mbështetja për trajnimet në kurrikulë e deri tek ato që adresojnë programe të ndryshme, qofshin programe të cilat janë themelore apo plotësuese, në bashkëpunim me partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë”, tha Nagavci.
Sipas statistikave nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në Kosovë janë rreth 23 mijë mësimdhënës në shkollat parauniversitare.